Jep dorëheqje kryetari i degës së LDK-së në Kllokot

Jep dorëheqje kryetari i degës së LDK-së në Kllokot

Hasan Rashiti ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kllokot, përcjell Insajderi.

Letra e dorëheqjes së tij dërguar Kryesisë së degës së LDK-së në Kllokot është publikuar nga televizioni lokal Plus TV.

Në letër Rashiti ka përmendur zhvillimet e fundit politike, veçanërisht rezultatin e dobët të LDK-së në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, si arsye për dorëheqjen e tij.

“Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit politike, veçanërisht pas rezultatit jo të mirë zgjedhor të LDK-së në nivel vendi e sidomos pas Kuvendit të fundit zgjedhor të LDK-së, ku LDK-ja zgjodhi kryetarin e ri, që paraqet fillimin e ndryshimit dhe të reformimit të LDK-së, duke dashur që ky ndryshim të mos jetë simbolik dhe të mos jetë një bllof politik, por me qëllim që procesi reformimit të shtrihet në të gjitha nivelet dhe drejtimet dhe të ketë dinamikën e duhur, paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Degës së LDK-së në Kllokot”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Rashiti tutje ka bërë të ditur se me dorëheqjen e tij dëshiron t’u hapë rrugë njerëzve të rinj dhe ideve e energjive të reja./Insajderi.com