Jep dorëheqje zv/ministri thotë se në ministri nuk kishte ujë as letra tualeti

Jep dorëheqje zv/ministri thotë se në ministri nuk kishte ujë as letra tualeti

Zëvendësministri i Arsimit që u emërua në këtë detyrë më 31 tetor dha dorëheqjen papritmas ditën e enjte. Taulant Muka, i cili zëvendësoi Ervin Demon, pasi u akuzu për plagjiaturë, ia dorëzoi dje dorëheqjen ministres së Arsimit, Lindita Nikolla dhe kryeministrit Edi Rama.

Ai shpjegoi mbrëmë në studion e “Ora News”, arsyet e largimit ndërsa tha se në ministri kishte një mungesë të theksuar menaxheriale. Duke filluar që nga uji i pijëshem deri tek letrat e tualetit që nuk kishte gjëkundi, Taulanti u shpreh se i duhej të paguante nga rroga e vet, kafetë që pinte stafi. Ai tha se gjeti një zyrë bosh në aspektin e dokumenteve.

Më poshte reagimi i Taulant Mukës:

“Taulanti kur filloi në punë gjeti një zyrë bosh në aspektin e dokumenteve. Unë mbaj mend kryeministrin dhe zotin Braçe që thoshin që zyrat ishin bastisur. Unë kisha karrigen dhe tavolinat, por nuk kisha përmbajtjen brenda. Ka qenë një zyrë bosh. Pulti i televizorit ishte marrë dhe letra higjienike ishte marrë. Informacioni nuk ishte dhe pavarësisht kush vjen zv.ministër, axhenda vazhdon, dokumentacioni duhet të qëndrojë. Nuk ka një protokoll.

Zv.ministri nuk është një person kushdo, ka një detyrë të rëndësishme në çfarëdolloj ministrie që qëndron. Taulanti kudo ku ka punuar në botë, në momentin që fillon punë, ka një axhendë 10- ditore e përgatitur nga struktura; takohet me pjesën juridike që i tregon gjithë ciklin e punës. Taulanti nuk është mësuar me këtë lloj modeli dhe vjen nga një kulturë tjetër. Ka një mungesë menaxheriale. Në Ministrinë e Arsimit nuk ka ujë të pish dhe kafetë e kujtdo që të vinte në zyrë do t’i blinte Taulanti me rrogën vetë. Rroga e Taulantit nuk të vlen vetëm për kafe dhe ujë. Unë shkova me një mision. Mision kisha arsimin cilësor dhe rikthimin e dinjitetit të universiteteve shqitpare dhe shkencore,” shpjegoi Muka/Insajderi.com