“Jerusalemi i askujt” – gara e dhjetë kandidatëve për Prizrenin

Deri tash PDK-ja që ka qeverisur në Prizren në tri mandate e ka quajtur këtë qytet "Jerusalemi" i partisë. Por personi që ka qeverisur nga PDK-ja pas shumë problemeve me ligjin nuk do të garojë këtë herë. Kësisoj gara për Prizrenin sivjet është e fortë. Njoftohuni me kandidatët për kryetar të Prizrenit. [Artikulli është pjesë e projektit për monitorimin e zgjedhjeve lokale 2017, mbështetur nga Friedrich Erbert Stiftung (FES).]

“Jerusalemi i askujt” – gara e dhjetë kandidatëve për Prizrenin

Qytetarët e Prizrenit nuk do të kenë kryetar Ramadan Mujën, i cili gjithë mandatin e përfundoi si i akuzuar për shpërdorim të pozitës zyrtare. Ai nuk është kandiduar fare nga Partia Demokratike e Kosovës për kryetar të Prizrenit.

Ramadan Muja, në mandatin e fundit kishte dhënë 29 premtime prej të cilave 15 i ka realizuar. Premtimet tjera ose i ka të mbetura në gjysme apo nuk i ka filluar fare.

Hapja e vendeve të reja të punës, ndërtimi i shkollës së arteve, ndërtimi i infrastrukturës në Zonën Boka dhe Investime në zhvillimin e industrisë së lehtë, janë katër premtimet e parealizuara të Mujës.

Organizata GAP ka renditur premtimet e pa mbajtura të Mujës. Ndër tjera konstaton se, kryetari në largim që udhëhoqi Prizrenin për tri mandate nuk kishte bërë zgjidhje për ndërtimet pa leje, parkingjet në qytete, furnizimin me ujë dhe disa probleme të tjera.

Muja kishte mbajtur premtimin e dhënë për lehtësimin e bizneseve në këtë komunë. Të gjitha bizneset të cilat janë themeluar nga viti 2012 janë liruar nga taksat komunale.

Muja po ashtu kishte mbajtur premtimin për ndërtimin e dy Qendrave të Mjekësisë Familjare, që janë ndërtuar QMF në fshatin Velezhë dhe QMF në lagjen Kurrille. Muja gjatë mandatit të tij të fundit kishte arritur të ndërtonte edhe 300 banesa për invalidë, veteranë të luftës dhe raste sociale.

Gjithashtu gjatë mandatit të fundit janë ndërtuar gjashtë terrene sportive, ndërsa në përfundim janë edhe tri sosh. Po ashtu Muja kishte hapur kuzhinën popullore në të cilën ushqehen të varfrit.

Sido që të jetë, kryetari i ardhshëm i kësaj komune nga nëntë kandidatët sa janë në garë, çështjen e parë me të cilën do të duhet të përballet është borxhi i Komunës së Prizrenit që kap shifrën e 15 milionë eurove.

Prizreni, në pesë vitet e fundit, është mbërthyer nga ndërtimet, disa prej tyre pa leje. Këto ndërtime janë koncentruar veçmas në zonën e quajtur qyteti i vjetër apo Zona Historike. Rritja e numrit të ndërtimeve në këtë zonë, besohet që po ndikon në tjetërsimin e pamjes së qytetit.

Organizatat lokale kanë bërë evidentime përkatëse të këtij problemi. Sipas tyre, vetëm në tri vitet e fundit në Zonën Historike janë ndërtuar më shumë se 100 objekte të reja.

Madje njëri objekt i ndërtuar në afërsi të shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit ka marrë një pjesë të oborrit të kësaj shtëpie me rëndësi historike. Qytetarë të komunës së Prizrenit në vitin 2013 kishin mbledhur 10 mijë nënshkrime me anë të së cilave kërkohej ndalja e këtyre ndërtimeve.

Komuna e Prizrenit konsiderohet të jetë njëra ndër komunat më të vizituara nga turistët vendës dhe të huaj. Njëri ndër problemet që hasën në këtë komunë si nga turistët ashtu edhe nga banorët është hapësirat e pamjaftueshme të parkingjeve.

Komuna, në disa pjesë të qytetit herë pas here ka lëshuar njërin krah të rrugëve për parkingje me pagesë, por kjo masë besohet të ketë lehtësuar problemin, por jo edhe zgjidhur atë. Problemi nga mungesa e parkingjeve vërehet veçmas gjatë sezonit të verës.

Problemi tjetër me të cilin ballafaqohen qytetarët e kësaj komune dhe veçanërisht fshatrat është uji i pijshëm.

Prizreni konsiderohet të ketë ujë të konsiderueshëm për të gjithë qytetarët, por rrjeti i vjetruar pamundëson furnizimin.

Përveç ujit të pijshëm problem mbetët edhe derdhja e kanalizimeve në lumin “Lumbardh”. Qyteti i Prizrenit dhe shumë fshatra të tij, kanalizimet i derdhin në lumin “Lumbardh”. Kjo shkakton kontaminimin e ujit rrjedhës si dhe ndot ambientin. Listës së probleme të kësaj komune është mungesa e çerdheve, në komunën e dytë me popullsi më të madhe nuk ka asnjë çerdhe.

Kandidatët për kryetar komune

Shaqir Totaj, kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit u anëtarësua në këtë parti në ditën kur edhe u zyrtarizua kandidatura e tij për kryetar të kësaj komune. Totaj më herët ka qenë menaxher i degës së ATK-së në Prizren. Totaj njihet edhe për aktivitet në sport, ai është që nga viti 2011 është kryetar i klubit të basketbollit Bashkimi, Ndërsa nga viti 2013 ai është edhe nënkryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Hatim Baxhaku, njëri ndër themeluesit i degës së LDK-së në Prizren. Baxhaku i cili është kirurg e ushtron këtë profesion qysh nga koha e luftës. Baxhaku ka shërbyer si mjek në “Betejën e Kosharës”  dhe ofensivës “SHIGJETA”. Baxhaku ishte edhe deputet në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e katërt, për rreth një vit.

Mytaher Haskuka, kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të komunës së Prizrenit, është profesor asistent në Universitetin e Prishtinës, në Departamentin e Psikologjisë. Haskuka është aktualisht deputet në kuvendin e Kosovës. Ai gjithashtu ishte deputet në ligjeslaturën e kaluar të kuvendit të Kosovës.

Lulzim Kabashi, kandidat për kryetar të komunës së Prizrenit, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë. Kabashi i cili aktualisht ka një biznes privat, “Iliria 2”,ishte inkuadruar në politik si kryetar i degës në Lidhje Demokratike të Dardanisë, parti kjo që tashmë është shuar. AAK ka qenë në koalicion me PDK në qeverisjen e kësaj komune.

Zafir Berisha, kandidat për kryetar të kësaj komune nga Nisma, fillimisht kishte qenë kryetar i degës i PDK-së në këtë qytet. Berishës u lejua të jetë kandidat për këtë komunë vetëm pas ankesës në Gjykatën e Apelit pasi KQZ e kishte decertifikuar Berishën për të qenë kandidat për të parin e kësaj komunë për shkak se Berisha ishte dënuar për vjedhje të energjisë elektrike si pronar i hotel “Kështjella”.  Berisha është deputet në kuvendin e Kosovës në dy legjislacionet e fundit.

Emilija Redžepi, kryetare e partisë NDS dhe po ashtu kandidate për kryetare të Prizrenit. Aktualisht kryetare e kësaj partie që nga viti 2009. Redzepi është deputete në kuvendin e Kosovës por kishte qenë deputet edhe në dy legjislaturat e kaluara në kuvendin e Kosovës.

Nexhmedin Ramadani, kandidat nga partia Fjala për kryetar të komunës së Prizrenit është profesor i Gjuhës Angleze. Ai fillimisht ishte kishte shërbyer në shkollën fillore në Dragash, pastaj në gjimnazin në Suharekë dhe në fund në shkollën ekonomike në Prizren ku edhe është duke punuar ende. Ramadani është edhe udhëheqës i dy institucioneve private i gjuhëve të huaja dhe kompjuterëve ‘Finch’ dhe drejtor ekzekutiv i OJQ-së ‘FICNH’

Osman Krasniqi, kandidat për kryetar nga komuna e Prizrenit nga Aleanca për Kosovën e Re është i diplomuar në Sistemet e Energjisë elektrike, Gjenerim dhe Shpërndarje. Krasniqi është udhëheqës i Federatës së Peshkatarëve të Kosovës, në Prishtinë, ndërsa është edhe pronar në “E-TECH” në Prizren.

Veton Qipa – kandidati nga Alternativa për kryetar komune nga kjo parti e cila merr pjesë për herë të parë në zgjedhjet lokale. Qipa është me profesion ekonomist, dhe punoi në këtë profesion në vitet e 90 ai kishte krijuar ndërmarrjen e tij tregtare. Qipa është anëtar i Klubit Rotarian të Prizrenit, ndërsa për një vit kishte qenë kryetar i këtij klubit.

Sencar Karamuço, është kandidat për kryetar të komunës së Prizrenit, nga Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP). Ai po ashtu dy vite më parë ishte shpallur kryetar i degës së kësaj partie në Prizren.

Karamuço është gjobitur me 300 euro ditë më parë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për shkak kishte përdorur gjuhë të urrejtjes.

 

Artikulli është pjesë e projektit për monitorimin e zgjedhjeve lokale 2017, mbështetur nga Friedrich Erbert Stiftung (FES).