Jetonte i vetëm, pa të ardhura, pa familje – detaje për 59-vjeçarin nga Prishtina që ndërroi jetë nga koronavirusi

Jetonte i vetëm, pa të ardhura, pa familje – detaje për 59-vjeçarin nga Prishtina që ndërroi jetë nga koronavirusi

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se S.N., 59-vjeçar, i cili ndërroi jetë sot nga koronavirusi, jetonte i vetëm në një banesë me qera të paguar nga Komuna.

Sipas kreut të Komunës, vuante nga sëmundje të rënda kronike dhe nuk kishte familjarë. Jetonte i vetëm.

Ahmeti ka thënë se, para se të vendosej në një banesë, 59-vjeçari jetonte në Fushën e Pajtimit në Prishtinë – një vend në të cilin banonin në kontejnerë dhe në kushte të rënda dhjetëra familje.

“S.N. në gjendje të rëndë sociale kishte jetuar për vite të tëra në kontejnerë në Fushën e Pajtimit. Nuk kishte familjarë dhe me sëmundje të rënda kronike. Në vitin 2015 nevojiteshin negociata për t’i larguar ato familje nga kontejnerët”, shkroi Ahmeti.

“Edhe pse premtonim pagesën e qerasë, familjet në gjendje të rëndë frikoheshin ta lenin kontejnerin e vetë për një banesë me qëra duke mos ju besuar institucioneve. Që atë vit, S.N. e kemi vendos në banesë me qera në Prishtinë”, deklaroi Ahmeti, në një shkrim në FB.

Sipas Ahmetit, S.N. ka qenë pacient i rregullt i qendrave të mjekësisë familjare në kryeqytet.

“Pacient i rregullt i urgjencës dhe qendrave tona të mjekësisë familjare. Disa miq, dhe kojshitë i dërgonin edhe ushqim dhe kujdeseshin për të. Kështu ndodhi edhe javën e kaluar kur njëri prej kojshive na lajmëroi që pacienti ishte keq dhe se ka nevojë për ndihmë. gjatë kësaj periudhe ekipet tona kanë vizituar S.N. disa herë për shkak të sëmundjeve kronike”, ka thënë Ahmeti. 

“Edhe pse nuk kishte simptoma të virusit, megjithatë mjekët vendosen që ta testojnë. Doli pozitiv testi. Sot në mëngjes, S.N. ndërroi jetë në Klinikën Infektive nga komplikimet nga sëmundjet”.

Sipas tij, ky status nuk ishte vetëm për të ju kujtuar rreziqet nga virusi.

“Ky status ishte për ta kujtuar një qytetar të Prishtinës, i cili kishte e jetë të vështirë, shumë më të vështirë se sa që të gjithë ne mund ta imagjinojmë. Me sëmundje, pa të ardhura, pa familje. Meqenëse ka pak njerëz që mund ta kujtojnë, e edhe më pak njerëz që mund ta varrosin, ta kujtojmë të gjithë së bashku, e me këtë edhe të mendojmë për virusin, por edhe më shumë për solidaritetin”, ka shkruar Ahmeti.