“Jo vaksinim i detyrueshëm”, vendimi i qeverisë dërgohet në Kushtetuese

“Jo vaksinim i detyrueshëm”, vendimi i qeverisë dërgohet në Kushtetuese

Disa qytetarë kanë dorëzuar të hënën në Gjykatën Kushtuese vendimin e Qeverisë së Kosovës për vaksinim kundër COVID-19.

Arianit Sllamniku, nga Inciativa Joformale, tha se kushtëzimi i lëvizjes së qytetarëve me vaksinim, është shkelje ligjore.

Ndërsa, avokati Muhamet Muja, tha se vendimi i qeverisë shkel të drejtat e njeriut.

Theksoi se s’janë kundër vaksinimit, por kundërshtojnë vaksinimin e detyrueshëm.

“Është një punë ekipore. Ka të bëjë me kërkesën mbi ligjshmërinë e vendimit të qeverisë të cilën sot e kemi dorëzuar në gjykatë. Shumë qytetarë është dashur të marrin pushime mjekësore vetëm t’i ikin atij kushtëzimi. Ne jemi kundër detyrueshmërisë. Askush nuk mundet me më detyrua me marr vaksinë sepse çdo njëri ka të drejtë mbi trupin e tij dhe në këtë rast është shkelur e drejta e qytetarit”.

Masat e fundit për kontrollin dhe parandalimin e COVID-19 të miratuara nga Qeveria e Kosovës kanë hyrë në fuqi sot, e hënë. Sipas këtyre masave, çdo person që hyn në Kosovë, duhet të ketë me vete dëshminë e vaksinimit të plotë apo të njërës dozë ose testin RT-PCR negativ të bërë brenda 72 orëve.