Johnson: Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënim

Johnson: Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënim

Ballkani Perëndimor po e përjeton kërcënimin më të madh të stabilitetit dhe sigurisë në dy dekadat e fundit – kështu ka deklaruar kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson.

Por, e pranon që përgjegjësi kanë dhe premton që do të bëjnë gjithçka që është e mundur.

“Nuk  mund të lejojmë asnjë kthim në dhunën dhe ndasitë e së kaluarës”, ka thënë ai.

Këto komente i bëri pasi e emëroi Sir Stuart Peach si i dërguar i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor.

“Puna e tij do të përfshijë gjithashtu promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, duke favorizuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe sfidat e tjera të përbashkëta të sigurisë, si dhe inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara, si krimet e luftës dhe personat e zhdukur”, ka deklaruar ai.

Tensionet në Ballkanin Perëndimor janë shtuar dukshëm.

Që nga shtatori i vitit 2020 presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka përmendur konceptin “Bota Serbe”.

Nga ajo kohë tensionet në Kosovë, Malin e Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë kanë qenë në rritje. /Insajderi.com