Pas publikimit t raportit të Pentagonit i cili në mënyrë më të ashpër e kritikon bashkëpunimin në mes të Beogradit dhe Moskës në fushën e blerjes së armatimit dhe bashkëpunimit të inteligjencës, në Uashington janë gjithnjë e më të zëshme zërat të cilat po kërkojnë qëndrim më të ashpër të diplomacisë amerikane ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Profesori i Universitetit John Hopkins, Edward Joseph, i cili ka marrë pjesë në përpilimin e raportit, thotë se Vuçiq po bashkëpunon me armikun e SHBA dhe po i heqë liritë e qytetarëve të vet.
A është shkaku blerja e armëve apo deklarata e Vuçiqit se shërbimi i inteligjencës ruse është miqësor për Serbinë nuk është e sigurt, por diçka është e sigurt se në publik doli raporti deri tani më i ashpër i Pentagonit për bashkëpunimin e Serbisë me Rusinë, me ushtrinë e saj dhe shërbimet e saja sekrete.
“Me presidentin Vuçiq duhet të bisedohet haptas. Dhe duhet ndërprerë me atë që duke e lutur atë të gjendet zgjidhja për Kosovën. Si dhe që ai të kompensohet në një mënyrë për këtë. Askush nuk duhet të mendojë për kompensim të liderit i cili ka bashkëpunim aq të gjerë me armikun, siç është Moska dhe i cili shkon kundër popullit të vet dhe iu heqë të drejtat të cilat iu takojnë”, ka deklaruar Edward Joseph nga universiteti John Hopkins.
Presidenti i Serbisë përgjigjet se do të vazhdojë bashkëpunimin me Rusinë, ashtu si ka vepruar deri tani.
“Këto presione nga bota… Nga Amerika, se jemi të afërt me Rusinë, ndërsa disa në vend thonë se jemi kundër Rusisë. Unë mendoj se kjo tregon mjaft për rregullsinë e politikës serbe”, ka thënë Aleksandar Vuçiq.
Analisti serb Boshko Jakshiq thotë se ky raport u publikua disa ditë pas aferës së spiunazhit me spiunin rus, e cila u bë publike, si dhe disa ditë para takimit të Vuçiqit me Putinin në Soçi. Kjo nuk është aspak e rastësishme. Po afrohet dita kur më nuk do të tolerohet që Serbia të jep shenjë kah Perëndimi e të kthehet kah Lindja./Insajderi.com.