“Ju e keni bërë Thaçin president” – Molliqaj përfshihet në përplasjen e partive opozitare

“Ju e keni bërë Thaçin president” – Molliqaj përfshihet në përplasjen e partive opozitare

Propozimi i PSD-së që edhe opozita të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë, ka shkaktuar një debat të ashpër ndërmjet partive opozitare.

Krejt kjo erdhi pas një kërkesa që doli në media me të cilën partia e Shpend Ahmetit po kërkon përfshirjen në procesin e dialogut.

Fillimisht ishte shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti që reagoi duke kërkuar që PSD-ja fillimisht t’i shqyrtojë pozitat e deputetëve që sipas tij i ka marrë nga Vetëvendosja.

“PSD-ja duhet permes zgjedhjeve te reja te verifikoje 12 mandatet qe ka ne Kuvend, ngase jane mandate te fituara nga nje parti tjeter. Vleresoj se verifikimi i legjitimitetit eshte i domosdoshme per qendrueshmerine e demokracise ne Kosove dhe te PSD-se gjithashtu”, ka shkruar Hoti në facebook.

Reagim të ashpër në drejtim të Hotit së fundi ka bërë edhe deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Ai ia ka përmendur shefit të deputetëve të LDK-së faktin që kjo parti e ka votuar për president Hashim Thaçin.

“Në vend se Avdullah Hoti dhe partia të cilës i takon të marrin përgjegjësinë që iu takon në mbrojtjen e vendit, tash kur Kosova po rrezikohet nga negociatat pa platformë, ai paska zgjedhur të merret me PSD-në. Avdullah, për dallim prej juve, ne si PSD do të angazhohemi vazhdimisht që ta ndalim Thaçin t’i vazhdoj negociatat për vendin tonë krye në vete e pa platformë. Ju vazhdimisht i jeni nënshtruar PDK-së. E keni zgjedhur Thaçin president e Veselin kryetar të Kuvendit. Andaj, të lus shumë si koleg që të kam, leje anash hipokrizinë”, ka shkruar Molliqaj.

Ai tutje ka thënë se Kosovës më shumë i duhet konstruktivitet, e jo hipokrizia.

“Në këto momente, Kosovës i duhet më pak hipokrizi e më shumë konstruktivitet. I duhet bashkim i të gjitha partive opozitare, në mënyrë që të jemi më të fuqishëm përballë Serbisë në këto negociata vendimtare për të ardhmen e vendit”, përfundon postimi i Molliqajt në facebook.

Ndaj kërkesës së PSD-së për përfshirje në dialog kanë reaguar edhe shumë deputetë të VV-së.

Deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu tha se të larguarit nga Vetëvendosja, tashmë janë bërë paterica të Thaçit.

“I tradhtuan votuesit, i vjedhën mandatet, tani duan t’i bëhen patericë Thaçit për koncesione të reja! Zgjedhje të jashtëzakonshme dhe jo pazare të reja”, ka shkruar Haxhiu.

Reagim pati edhe Liburn Aliu. Ai tha se tashmë e ka të qartë pse u nda Vetënvendosja.

“Dhe më në fund e kam çdo gjë të qartë për grupin që doli nga VV. Na patën lodhë me lloj-lloj arsyetimesh koti. E që të gjithë e dinim që nuk qëndrojnë. Porsa u rrit temperatura u doli boja krejt”, ka shkruar Aliu në facebook. /Insajderi.com