Ju nuk e doni Kosovën, ju i doni paratë dhe pasurinë e saj!

Nëse PAN-i arrin t’i sigurojë këta numra për dy javët e ardhshme, këtë do ta bëjë vetëm me shantazh e joshje me para e pushtet. Rrjedhimisht, Qeveria e mundshme e udhëhequr nga Haradinaj, do ndërtohej jo mbi bazën e një procesi demokratik, por mbi vepra të rënda penale.

Ju nuk e doni Kosovën, ju i doni paratë dhe pasurinë e saj!

Masat e përgjimit dhe vëzhgimit tashmë do të duhej të lëshoheshin me vendim Gjykate. Nën hetime do të duhej të ishte Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Adem Grabobvci, Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Dardan Gashi, Teuta Rugova, Labinot Tahiri, etj.

Veprat penale tashmë janë evidente: shpërdorim i pozitës zyrtare; dhënie dhe marrje ryshfeti; shantazh; detyrim.

Kësisoj, deputetët nuk do të cilësoheshin numra. PAN-i nuk do ti kishte 60 numra. Teuta Rugova do të ishte në LDK. Labinot Tahiri nuk do të nxirrej nga dasmat. Shumica demokratike do të krijonte institucionet. Pakica do të mbetej në opozitë. Vendi do të kishte Kuvend funksional, e Qeveri legjitime.

Por, meqë e ardhmja e vendit me perspektivë të zymtë po mbahet peng i dëshirës së Kadri Veselit për të mos mbetur vetëm deputet dhe e Ramush Haradinajt për t’u bërë edhe njëherë në jetë kryeministër, sekserët morën edhe një mandat prej dhjetë ditësh për t’ua siguruar numrat atyre.

Po te kishte shtet funksional të cilin nuk e kemi dhe gjyqësor të pavarur, Labinot Tahiri do të duhej të merrej nën mbrojtje. Ai dhe të tjerë të dobët politikisht, e pa kurriz – individualisht, janë vënë nën presionin e shantazhit, kërcënimit, e joshjes me para.

Nëse PAN-i arrin t’i sigurojë këta numra për dy javën e ardhshme, këtë do ta bëjë vetëm me shantazh e joshje me para e pushtet. Rrjedhimisht, Qeveria e mundshme e udhëhequr nga Haradinaj, do ndërtohej jo mbi bazën e një procesi demokratik, por mbi vepra të rënda penale.

Dëshmitë dhe provat materiale për këto vepra u dhanë në seancën e fundit. PAN-i kërkoi edhe dy javë kohë për të blerë deputetë tjerë, sepse tashmë është e qartë se askush nuk dëshiron të bëjë koalicion me të.

Po të kishte shtet funksional, një prokuror me bole do të priste para hyrjes së Kuvendit me mandat të lëshuar nga Gjykata dhe të shoqëronte në Prokurori të gjithë protagonistët e debatit të sotëm.

Do të merrej me vdekjen e Astrit Deharit; për të zbuluar vrasësit e tij, apo shtytësit që e çuan në vetëvrasje atë.

Do të hetonte Kadri Veselin për lidhje me krimin. Ramush Haradinajn për detyrim e dhënie ryshfeti. Albin Kurtin për tradhti kombëtare. Sepse të gjitha këto elemente të veprave penale u dhanë publikisht nga vetë protagonistët e debatit.

Është e qartë se kriza do të vazhdojë edhe më tej. Është e qartë se përfaqësuesit e partive politike gjithçka duan, pos Kosovës.

PAN-i do pushtetin si mjet gjenerimi të pasurimit për krerët e tyre dhe vartësit e shumtë në terren.

Vetëvendosje do pushtetin për të cilin nuk ka kursyer kurrfarë mjeti për ta arritur atë – përfshirë aktet e dhunshme dhe veprat penale.

LDK-ja po kaq shumë e do pushtetin dhe paratë që sjell ai, por për shkak të “lëndimit” që i është shkaktuar me aktin e rrëzimit të Qeverisë së Isa Mustafës me votat e të gjitha subjekteve politike, po mban pozicion më neutral. Dhe me të drejtë e bën këtë.

LDK nuk mund të futet në një Qeveri me PDK-në e cila e rrëzoi dhe me Vetëvendosjen e cila nuk la mjet pa përdorur për ta rrëzuar.

Në këtë situatë, për të pasur një proces demokratik që do të detyronte palët që të uleshin në tryezë bisedimesh për të dalë nga kriza dhe për të shmangur konsumimin e mëtejmë të veprave penale – garant i vetëm do të ishte Prokuroria.

Për këto dy javë do të arrinte të zbulonte të implikuarit në shantazh, detyrim dhe dhënie e marrje të ryshfetit.

Meqë nuk kemi Prokurori të tillë, lufta për pushtet, në një shtet jo funksional do të ashpërsohet edhe më shumë. “Patriotët” dhe “tradhtarët” do të nxjerrin heshtat. E, sekserët do të përfitojnë edhe më shumë.

Çka nuk blihet me pare, blihet me më shumë pare.