Ju për ne – apo Ju për veten

Ju për ne – apo Ju për veten

Shkruan: Urim Hasipi 

Pavarësisht se cilës parti politike i takoni, pavarësisht se jeni në opozitë apo pozitë. Pavarësisht se nesër do të jeni në ndonjë post të rëndësishëm shtetëror, duhet që ta dini se, populli shqiptar në Maqedoninë e veriut është i lodhur këta 30 vite me partitë politike. Mos e lodhni më shumë, mos e gënjeni më shumë. Ju, duhet të jeni garnitura në kuvend që do të luftojë me mish e shpirt për një të ardhme më të mirë për shqiptarët. Ju, duhet që të luftoni për të ndalur eksodin e ikjes së rinisë, ju duhet që të luftoni që shqiptarët të përfaqësohen denjësisht në institucione, të marrin atë që u takon.

Ju, disa që për herë të parë uleni në karrigen e Kuvendit, mos harroni ata që ju sollën aty. Mos harroni se pse shumë njerëz u besuan, dolën dhe votuan duke rrezikuar shëndetin e tyre në një kohë të vështirë për shëndetin njerëzor. Ju, të nderuar deputetë keni mundësinë e artë që të përmirësoni shumë gabime, shumë tradhti, shumë padrejtësi që u janë bërë shqiptarëve, në aspektin ekonomik, në aspektin e realizimit të së drejtës dhe barazisë para ligjit dhe organeve të gjyqësisë.

Ju, do ta keni këtë mundësi që të ktheni dinjitetin e humbur, shpresën e humbur tek politika. Ju, mund të përmirësoni imazhin e keq që paraardhësit tuaj kanë lënë në atë vend ku ju sot jeni ulur. Mos i zhgënjeni votuesit, mos e zhgënjeni rininë, mos e zhgënjeni familjen  dhe popullin të cilit i takoni. Ju, gjithmonë për aq kohë sa do jeni ulur aty ku jeni, do të duhet që të ktheni kokën pas, të mendoni dhe të kujtoni se pse ndodheni aty, kush u solli.

Të marrësh besimin e njerëzve do të thotë dikush të ka dhënë gjënë më të shtrenjtë, besimin në ty. E ti guxo lëndoje atë besim. E nesërmja do të gjykojë sikurse paraardhësit tuaj, kurse më e rëndë do të jetë t`ju gjykojë populli të cilit i takoni.

Ju, duhet ta dini se katër vite ikin shpejt, ikin sa “çel e mshel sytë”, dhe atëherë kur do ta shihni se nuk keni bërë gjë duhet të turpëroheni nga vetja Juaj.

Qytetarët të cilët u besuan, do të vazhdojnë jetën e tyre në mënyrën siç e kanë vazhduar deri më tani, por ju nuk do të jeni të njëjtë në syrin e tyre.

Do të mbaheni mend për të keq, do të mbaheni mend se nuk keni lënë asnjë vepër të mirë për këtë popull, i cili u dhuroi diçka që nuk dhurohet lehtë, besimin për ta përfaqësuar.

Ju, keni fatin që të mos jeni si të tjerët.

Ju, keni këtë mundësi që të dëshmoni se jeni në atë karrige për të luftuar jo për interesin tuaj, jo për interesin e partisë, por për interesin e qytetarëve, sepse aty nuk u solli vetvetja, as partia por vota e qytetarëve.

Keni mundësi të zgjidhni mes të mirës dhe të keqes, keni mundësi që dëshmoni se ja vlen që të luftosh për njerëzit që kanë shpresën tek ju.

Nëse luftoni për interesat e qytetarëve tuaj, për votuesit tuaj, për popullin që i takoni, meritat do të vijnë edhe nga kolegët tuaj  tjerë jo shqiptarë.

Ata do të përkulen para qëndrimit tuaj se keni ditur të mbroni deri në fund interesat e popullit, kurse populli me gjithë dëshirë, pa hezitim, do t`ju shpërblejë edhe në të ardhmen me besim dhe votë, por edhe me mbështetje kur të keni nevojë.

Pas katër vitesh, keni dy mundësi, ose të dilni me fytyrë të pastër para popullit ose të turpëruar.

Mendoj se keni aq kapacitete për ta kuptuar se do të zgjidhni fytyrën e pastër dhe jo turpin.

Nga ju varet kjo….është në dorën dhe vullnetin tuaj.