Juncker: Pa marrëveshje dypalëshe nuk ka anëtarësim në BE për Serbinë dhe Kosovën

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, porositi Kosovën dhe Serbinë, se nuk mund të llogarisin në anëtarësim në BE, pa një marrëveshje për normalizimin e raporteve ndërmjet tyre.

Juncker: Pa marrëveshje dypalëshe nuk ka anëtarësim në BE për Serbinë dhe Kosovën

“Nuk dëshirojmë të importojmë paqëndrueshmëri në BE, por duam që të eksportojmë stabilitet në këto vende”, tha Juncker.

Ai tha se nuk është i kënaqur që procesi i dialogut nuk po shkon në drejtimin e duhur, duke u bërë thirrje palëve të kenë më shumë mirëkuptim për pozicionin e njëra tjetrës.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar për shkak të tarifës ndaj mallrave serbe që e vendosën autoritetet në Prishtinë.

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja po bëjnë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje të normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve në një periudhë sa më të afërt.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncket, foli për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas një takimi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, transmeton REL.

Shqipëria është duke pritur vendimin për datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE.

Gjatë muajit qershor, Bashkimi Evropian pritet të diskutojë për mundësinë e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Juncker tha se ka vende anëtare të cilat nuk janë të bindura që t’i jepet drita e gjelbër Shqipërisë, po që megjithatë ai mbetet optimist.