Sot, 15 shtator, në orën e parë të mëngjesit – ka ndërruar jetë aktori i madh, Adem Mikullovci.
Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë bashkëshortja e tij në profilin e saj në Facebook, transmeton Insajderi.
“Sonte pas mesnatës, në ora 00:20 minuta, ka ndërruar jetë më i dashuri jonë, Adem Mikullovci. Për informata të tjera dhe ceremoninë e varrimit, do të lajmroheni me kohë”, shkruan Lumnije Mikullovci.
Adem Mikullovci u lind në vitin 1939 në Vushtrri, ndërsa së fundi nuk ishte dhënë ndonjë informatë se ai ishte duke u përballur me probleme shëndetësore.
Adem Mikulovci, ishte një nga aktorët më të mëdhenj dhe të dashur në trojet shqiptare.
Prej vitit 1968 e deri në korrik të vitit 1990, Adem Mikullovci ka ndërtuar një karrierë që numëron 45 role kryesore si dhe rreth 70 role të dyta në shfaqje teatrore.
Rolet më të dalluara i realizoi në shfaqjet: “Duke pritur Godonë”, “Po shkoj për gjah”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Dashuria”, “Hotel Kashta”, “Fundi i botës”, “Miza në vesh”, “Erveheja”, e të tjera.
Adem Mikullovci gjithashtu është regjisor i disa shfaqjeve në teatër, si: “Pas vdekjes” (Çajupi), “Mosha e bardhë” (D. Agolli), “Dan Shejtani”, “Engjulli i stacionit”, monodrama “Bihorasit” (dramatizim i veprës së autorit Q. Sijariq), “Ti mos u përziej”, komedia “Shtrati”, “stand-up” komedia “Përgjuesi”, e të tjera
Përveç aktrimit, ai ishte marrë edhe me politikë. Në vitin 1990 ai ishte në mesin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut, ndërsa në zgjedhjet e parafundit, ai ishte zgjedhur deputet në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje./Insajderi.com.