A ka ndikim Rusia në Kosovë?

A ka ndikim Rusia në Kosovë?

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar sot raportin gjithëpërfshirës “Ndërhyrja e Rusisë në Kosovë: si dhe pse?”, ku theksohet se Kosova është e ekspozuar ndaj një fushate të gjerë ndikimi në rritje të ndërhyrjes ruse kundër modelit të shtet-ndërtimit perëndimor dhe vlerave të tij demokratike, veçanërisht që nga viti 2008.

Ky raport është përgatitur nga autori Pëllumb Kallaba-hulumtues i lartë i jashtëm në QKSS, ku thuhet se raporti është hartuar me qëllim të ofrimit të një analize holistike për një çështje të rëndësisë së veçantë për Kosovën, siç është prania ruse dhe ndikimi i saj për zhvillimet ndërkombëtare të vendit.

Hulumtimi konstaton se shumë instrumente subversive dhe jo-ushtarake do të vazhdojnë të përdoren kundër karakterit multietnik të Kosovës, me qëllim që të krijohen pretekste për një shtet të dështuar si dhe të rritet separatizmi lokal brenda komunitetit serb në komunat veriore.

“QKSS konstaton se Bashkimi Evropian nuk e ka trajtuar Kosovën në mënyrë të barabartë si vendet tjera të Ballkanit Perëndimor në procesin e harmonizimit dhe vendosjes së sanksioneve ndaj subjekteve ekonomike dhe autoriteteve politike të Federatës Ruse”, thuhet në një komunikatë të kësaj qendre.

Në komunikatë theksohet se gjatë periudhës janar-korrik 2017, niveli i mallrave ruse të importuara në Kosovë tejkalon shumën prej 10 milionë euro, ndërsa shifrat e eksportit të Kosovës drejt Rusisë mbeten zero.

“Kjo asimetri negative dëshmohet edhe në aspektin e hyrje/daljeve të qytetarëve rus. Sipas hulumtimit, më shumë se 1000 qytetarë rusë vizitojnë Kosovën çdo vit, ndërsa qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë në Rusi për shkak të refuzimit të menjëhershëm të pasaportave”.

Raporti është ndalur edhe te fabrikimi i lajmeve të pa-vërteta (fake neës) përmes përfaqësive mediale ruse në Serbi dhe rajon në raport me Kosovën paraqet një sfidë të jashtëzakonshme ndërkombëtare.

“Raporti konstaton se një prani mediale pro-ruse në Serbi është një kartë e rëndësishme në përhapjen e propagandës midis serbëve të Kosovës, duke përfshirë Sputnik dhe Russia Today. Në anën tjetër, pozicioni i ashtuquajtur neutral i Serbisë ndaj anëtarësimit në NATO, së bashku me perceptimin negativ të publikut në Serbi për aleancën ushtarake perëndimore, mbetet një shqetësim serioz për perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim

Sipas raportit, Kosova nuk ka strategji të qëndrueshme se si të adresojë sfidat në raport me marrëdhëniet diplomatike bilaterale dhe multilaterale me Rusinë.

Vlen të theksohet se raporti i QKSS ka adresuar një sërë rekomandimesh të përgjithshme të cilat duhet të trajtohen nga Qeveria e Kosovës, Bashkimi Evropian, shoqëria civile, media dhe komuniteti i biznesit.