Ka përfunduar mbledhja e rregullt e Kryesisë së LDK-së

Ka përfunduar mbledhja e rregullt e Kryesisë së LDK-së

Pas përfundimit të takimit të kryesisë së LDK-së, sekretari i Përgjithshëm i këtij subjekti, Arban Abrashi, ka thënë se aty sot kanë diskutuar për punën e qeverisë dhe zhvillimet e fundit në vend, njofton Insajderi.

Në një intervistë për Klan Kosova, Abrashi ka thënë se “ka pas fjalë të mira për punën e Qeverisë”.

“Është përshëndetur puna e Kryeministrit Avdullah Hoti. Takimi ka qenë më shumë informativ dhe nuk kemi hyrë në tema të ‘nxehta’, jashtë punës së Qeverisë”.

Tutje Abrashi ka thënë se “në takimin e sotëm nuk është diskutuar çështja e zgjerimit të koalicionit Qeverisës”.

“Nuk kemi hyrë në këtë temë. Kemi folur për raportin me SHBA dhe përafrimin e këtyre raporteve. Është interes i LDK-së që kjo qeveri të zgjasë sa më shumë”.

Gjatë këtij prononcimi Abrashi i është kundërpërgjigjur edhe  Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila tha sot se Qeveria nuk e ka legjitimitetin t’i përfaqësojë qytetarët.

Si reagim ndaj deklaratës së Osmanit, Abrashi ka thënë se “qeveria po e bën një punë të mirë. Po flasim për demokraci përfaqësuese, ku deputetët e kanë votuar qeverinë dhe ajo përfaqëson popullin dhe ka legjitimitet”./Insajderi.com