Ish-deputetja, Donika Kadaj-Bujupi, ka kërkuar nga Qeveria heqjen e Orës Policore, të paktën gjatë muajit të Ramazanit, njofton Insajderi.
Sipas saj, kjo masë duhet hequr pasi “agjëruesit e kanë të domosdoshme lëvizjen e lirë pas orës 22:00 për të kryer ritualet e veta”.
“Ora Policore sot, më shumë se domosdoshmëri për shëndetin publik na paraqitet si masë për rikuperimin e mëkateve të fushatës. Duke qenë kështu, kjo masë aspak e bazuar në ndonjë hulumtim shkencor, e siç po shihet pa ndonjë rezultat konkret, duhet të pezullohet të paktën deri në përfundimin e muajit të Ramazanit.
Agjëruesit e kanë të domosdoshme lëvizjen e lirë pas orës 22:00 në mënyrë që t’i kryejnë ritualet e veta gjatë këtij muaji, për këtë arsye dhe jo vetëm, kjo kërkesë dhe realizimi i saj, më së paku do të ishte njerëzore!”, ka shkruar Kadaj-bujupi në profilin e saj në Facebook.
Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti ka marrë disa masa për të parandaluar përhapjen e COVID-19, të cilat janë në fuqi deri më 18 prill. Në mesin e tyre është edhe kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në 05:00./Insajderi.com