Kadaj: S’di pse Qeveria duhet të vazhdojë nëse s’e ka shumicën e thjeshtë

Kadaj: S’di pse Qeveria duhet të vazhdojë nëse s’e ka shumicën e thjeshtë

Deputetja e Aleancës për Ardhmëri për Ardhmëri të Kosovës, Donika Kadaj – Bujupi, ka thënë se Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti duhet të bie pasi që nuk mund të bëjë shumicën e thjeshtë për të kaluar ligje që janë esenciale për qytetarët, njofton Insajderi.

Kadaj-Bujupi thotë se jemi në fazën kur njerëzit kanë nevoja të mëdha socio-ekonomike dhe ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike duhet të kalohet.

“Këtë Qeveri s’e kam votuar dhe besoj me të drejtë siç edhe po shihet përgjatë procesit se të gjitha ato që i kam thënë ditën e votimit qëndrojnë dhe janë legjitime. Pra, kemi mosmarrëveshje të mëdha se si Qeveria Hoti i qaset dialogut dhe proceseve që pritet me ndodhë me marrëveshjen”.

“Për mua sot prioritet është që kjo Qeveri të fillojë të dinamizojë veprimet e veta dhe të rikthehet në Kosovë dhe të punojë me tema që janë prioritet. Prioritet për neve nesër është Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike dhe nëse edhe nesër për të shtatën herë nuk mund të kalojë atëherë s’di pse Qeveria duhet të vazhdojë. Pra, jemi në një fazë kur njerëzit kanë nevoja jashtëzakonisht të mëdha socio-ekonomike dhe ky ligj përkundër kritikave që i ka marrë është dhe duhet të kalohet. Këtu parashihet edhe tërheqja e 10 për qindëshit që janë para të qytetarëve sepse Qeveria s’po i dhuron, por janë të tyre. T’iu mohohet për një kohë kaq të gjatë është gabim i rëndë”.

Kadaj-Bujupi thotë se ka pasë mungesë të përkushtimit nga Qeveria në angazhimin e saj për të bërë shumicën në Kuvend dhe të kalojë ligjin, prandaj fajtore për moskalim të ligjeve që kërkojnë shumicën e thjeshtë e lë atë.

“Duhet të përkushtohet që të bëjë shumicën në Kuvend. Duhet të jenë mbi 60 deputetë përndryshe Qeveria kishte ra, po të ishte e kundërta. Nëse nesër nuk kalon ligji mendoj që Qeveria duhet me ra ose le të angazhohen seriozisht që të ketë në sallë deputetët e mazhorancës dhe ta kalojë ligjin. S’na nevojitet një qeveri që është aty vetëm për dialog me Serbinë. Jemi në kohë të pandemisë dhe njerëzit kanë nevojë edhe për të tjera gjëra. Kemi rritje enorme të papunësisë, prandaj ky ligj nuk duhet të jetë deklarativ”, ka thënë ajo për KK, transmeton Insajderi.

Ndërkaq, për raportet e saj me partinë e Ramush Haradinajt, tha se po zhvillohen me hatërmbetje duke mos e ftuar në asnjë takim.

“Unë jam në AAK dhe nuk ka ndryshuar asgjë. Por, siç e kam bërë publike s’jam ftuar prej ditës që s’e kam votuar Qeverinë Hoti. Unë i kam angazhimet e mia në Kuvend dhe me votuesit e mi. Në kryesi më është pamundësuar pjesëmarrja për shkak se nuk po ftohem. Mendoj që është e padrejtë dhe e paduhur në një kohë kur duhet që të gjithë t’i bashkojmë forcat sepse të gjitha qëndrimet e mia janë në linjë me subjektin. S’e di pse po ndodhë kjo hatërmbetje”, ka thënë tutje Kadaj-Bujupi. /Insajderi.com