Kadri Veseli amniston Flora Brovinen për fotografinë +18: Është dashur të konsultohet

Kadri Veseli amniston Flora Brovinen për fotografinë +18: Është dashur të konsultohet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka amnistuar deputeten e PDK-së, Flora Brovinën për publikimin e fotografisë, ku ajo pretendonte se një grua kosovare ishte përdhunuar nga forcat serbe, e njëjta fotografi më pas ishte gjetur në ueb faqet për të rritur.

Por Veseli ka thënë se publikimi asaj fotografie ka qenë i rëndë dhe pa dashje. Ka thënë se e njeh Brovinën dhe se është dashur që të konsultohet më herët.

“Brovina ka bërë një gabim të madh dhe besoj që e ka bërë pa dashje e them këtë sepse e njoh Florën. E njoh humanizmin e saj. Ajo është dashur të konsultohet më herët për këtë veprim para se të  vinte në seancë. Por duhet të nxjerrim së bashku mësim”.

“Gabim na mëson që trajtimi i krimeve të kaluara të bëhen me profesionalizëm dhe me ekspert të mirëfilltë që i trajtojnë faktet e krimeve në mënyrë rigoroze”, ka deklaruar Veseli.

Ai ka thënë se gjurmët e gjenocidit serbë janë kudo në Kosovë. Ka thënë se do të ngritët tribunali për krimet e Serbisë në Kosovë.

“Gjurmët e gjenocidit janë çdo kund në Kosovë. Jam këtu për të thënë qartë se gjenocidi serb nuk e ka bazën tek një foto e as tek një person, por tek një shtet që ka kryer krime politike e ushtarake”.

“Tribunal për gjenocidin do të ndërtohet për t’i dënuar për 15 mijë shqiptarët e vrarë, për Vasfije Krasniqin dhe për gratë e tjera.  Dua të përçojë një mesazh për tribunalin dhe krimin e kryer nga Serbia se nuk do ta ndalë askush. Nuk ka askush që do ta ndalë”.

“Nga dita e parë për krijimin e këtij ka pasur etiketime. Është e pashmangshme. Ka dëshmi boll ka dëshmitarë Serbia do të përgjigjet për gjenocidin e kryer dhe kriminelët nuk do të mund të flenë rahat për krimet e kryera”, ka deklaruar Veseli./Insajderi.com