Kadri Veseli dënon sulmet e Iranit ndaj SHBA-së

Kadri Veseli dënon sulmet e Iranit ndaj SHBA-së

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka dënuar sulmet me raketa të Iranit në drejtim të bazave ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Irak.

Sipas Veselit, një akt i tillë është agresion i rëndë ndaj SHBA-së dhe stabilitetit ndërkombëtar.

Ish-kryetari i Kuvendit i cili drejton edhe PDK-në, ka thënë se është i shqetësuar lidhur me zhvillimet në Lindjen e Mesme për shkak se shumë kosovarë punojnë atje.

“Dënoj sulmin e Iranit me raketa balistike ndaj bazave që strehojnë trupat amerikane në Irak duke e konsideruar një akt të rëndë agresioni ndaj SHBA-ve, Irakut dhe paqes e stabilitetit ndërkombëtar. Shumë qytetarë tanë janë duke punuar në këto bazat të aleatit tonë dhe prandaj ne ndihemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë e tyre. Institucionet e Shtetit duhet të kenë vëmendjen e plotë në situatën në të cilën ndodhen ata. Kosova, si gjithmonë, qëndron përkrah SHBA-së, në luftën e saj kundër terrorizmit si dhe në misionin human për një botë të lirë, demokratike e paqësore”, ka shkruar Veseli.