Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar të dielën në Klinë strukturat e partisë dhe simpatizantë të kësaj partie.
Veseli në Klinë ka shpalosur konceptin e platformës qeverisëse. Veseli tha se ‘Fillimi i Ri’ ka për qëllim zhvillimin ekonomik të vendit në mënyrë që të arrijmë rritje ekonomike prej 8 %.
“Koncepti i fillimit të ri është një transformim i fuqishëm, rrënjësor i ekonomisë sonë. Ndihmesa pikërisht e këtyre bizneseve të cilat janë aktualisht, 60 mijë biznese. Vetëm të ju ndihmojmë më shumë atyre me politika ekonomike lehtësuese, 60 mijë vende të reja të punës mund t’i krijojmë vetëm nga këto biznese”, tha Veseli, shkruan Gazeta Express.
Veseli tha se bujqësia do të jetë një nga prioritetet kryesore, dhe me këtë rast premtoi se buxheti do të dyfishohet, duke ndarë 120 milionë euro për grante dhe subvencione, çdo vit.
Veseli tha se do të ketë rritje të pensioneve për 25 % dhe rritje të pagave në sektorin publik për 30%.
“Do t’i rrisim pensionet e pensionistëve, 25 %. Kjo nuk do të jetë e tëra, kjo do të ndodhë shumë shpejt. Përveç rritjes se pagave në sektorin publik 30 %, pensionet do të rriten 25 % në fazën e parë, menjëherë. Pa i respektuar të moshuarit s’mund e ndërton të ardhmen”, deklaroi Veseli./Insajderi.com