Kadri Veseli reagon për videot e publikuara ku kërkohej ryshfet në emër të tij

Kadri Veseli reagon për videot e publikuara ku kërkohej ryshfet në emër të tij

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka folur ashpër për aferën e mashtrimit.

Atij dhe bashkëpartiakut të tij Xhavit Halitit, i përmendët disa herë emri në këtë aferë, përgjimet e të cilave ka nisë t’i publikojë Gazeta Online Insajderi që nga dita e premte.

Ai përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka kërkuar llogari nga organet e drejtësisë për zbardhjen e gjithë skemës.

Veseli thotë se i gjithë procesi, nga fillimi deri në fund duhet të hetohet dhe të ketë transparencë të plotë.

“Ajo që tashmë është kuptuar botërisht është fakti se krejt skema e mashtrimit në video-incizimet e publikuar ndërlidhet me ndërtimin dhe licencimin e një spitali privat. Dhe ende deri tash, në opinionin publik nuk është sqaruar rrjedha e licencimit të këtij spitali, që ka ndodhur ne vitin 2015 dhe për të cilin dyshohet se është pasojë e një skeme të korrupsionit institucional. Duke e konsideruar tepër të rëndësishme zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, kërkoj urgjentisht nga organet përgjegjëse të rendit dhe ligjit që të kryejnë detyrat e tyre me profesionalizëm, përgjegjësi dhe transparencë të plotë për hetimin dhe ndjekjen e të gjithë personave përgjegjës dhe të dyshuar për këtë aferë”, ka shkruar ndër të tjera Veseli.

Kjo është deklarata e tij e plotë:

Të nderuar qytetarë, Gjatë javës së kaluar, ne media janë publikuar disa video-incizime, ku persona tashmë të dyshuar, shihen qartë duke kryer vepra penale. Këta persona, në mes tjerash kanë apostrofuar edhe emrin tim, për çka jam deklaruar menjëherë dhe kam ngritur kallëzim penal ndaj tyre për keqpërdorim të emrit tim. Edhe pse ka kaluar gati një javë e plotë, ende nuk kemi parë ndonjë reagim apo veprim konkret në lidhje me ketë rast nga ana e organeve të drejtësisë. Për këtë, me të drejtë, mund të ndjehen të shqetësuar të gjithë qytetarët e vendit tonë. Ajo që tashmë është kuptuar botërisht është fakti se krejt skema e mashtrimit në video-incizimet e publikuar ndërlidhet me ndërtimin dhe licencimin e një spitali privat. Dhe ende deri tash, në opinionin publik nuk është sqaruar rrjedha e licencimit të këtij spitali, që ka ndodhur ne vitin 2015 dhe për të cilin dyshohet se është pasojë e një skeme të korrupsionit institucional. Duke e konsideruar tepër të rëndësishme zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, kërkoj urgjentisht nga organet përgjegjëse të rendit dhe ligjit që të kryejnë detyrat e tyre me profesionalizëm, përgjegjësi dhe transparencë të plotë për hetimin dhe ndjekjen e të gjithë personave përgjegjës dhe të dyshuar për këtë aferë. Ne nuk mund të qëndrojmë indiferent ndaj faktit që neglizhenca e trajtimit të rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit, me apo pa qëllim, ka mundësuar vjetërsimin e lëndëve deri në parashkrimin e veprave penale. Nuk mund të vazhdohet më tutje me këtë qasje që më shumë ngrit pyetje sesa që jep përgjigje. Andaj, kushdo që ka përgjegjësi institucionale duhet të kryejë detyrat me përgjegjësi të plotë ose të lëshojë rrugë për të tjerë që veprojnë me përkushtim dhe integritet. Dhe kushdo që është pjesë e kësaj skeme të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duhet të përballet me drejtësinë, pa asnjë vonesë./ Insajderi.com