Kadri Veseli tenton ta reformojë PDK-në me Sami Lushtakun, Xhavit Halitin dhe Elmi Reçicën

Kadri Veseli tenton ta reformojë PDK-në me Sami Lushtakun, Xhavit Halitin dhe Elmi Reçicën

Kryesia e re e Partisë Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e saj të parë, ka emëruar nënkryetarët, sekretarin dhe një numër udhëheqësish të departamenteve sektoriale.

Në mesin e pak emrave të rinj si: Uran Ismaili, Abelard Tahiri, Donjet Bislimi – nuk mungojnë edhe figurat më me ndikim të PDK-së sikur Sami Lushtaku, Xhavit Haliti dhe Elmi Reçica.

Duket se kreu i partisë më të madhe opozitare, Kadri Veseli, reformimin e shumëpremtuar të partisë së tij nuk mund ta bëjë pa Lushtakun, Halitin dhe Reçicën, shkruan Insajderi.

Lushtaku sot është emëruar si udhëheqës i departamentit për vlera të luftës, Haliti do të jetë udhëheqës i departamentit për grupe të interesit, ndërsa Reçica do të udhëheqë me departamentin e çështjeve të diasporës.

Të njëjtit para rreth një muaji ishin zgjedhur edhe në kryesinë e partisë.

Veseli “harron” premtimin – avancon njerëzit problematikë të partisë

Sundimi i ligjit dhe largimi nga pozitat shtetërore i njerëzve që kanë probleme me ligjin, është një kartë me të cilën ka luajtur rëndom Kadri Veseli, në tentim për t’u distancuar nga njerëzit problematik të PDK-së.

Pavarësisht premtimeve, kreu i PDK-së nuk është bërë pengesë për karrierën e këtyre njerëzve në partinë të cilën ai e udhëheq.

Lideri i PDK-së ka shfaqur qëndrime të njëjta në raport me këta njerëz, sikurse kishte bërë dikur edhe Hashim Thaçi.

Ndonëse në qershor të vitit 2018 kishte premtuar pastrimin e partisë nga njerëzit e korruptuar, ish-kreu i SHIK-ut po vazhdon t’i mbajë në parti dhe t’i avancojë njerëzit që kanë shkaktuar skandale e kanë probleme me drejtësinë.

Siç ka bërë me Lushtakun, Halitin dhe Reçicën.Të tre këta janë përfshirë në skandale në të kaluarën. Madje, disa prej tyre janë dënuar nga gjykatat, shkruan Insajderi.

Sami Lushtaku ishte protagonist i skandalit të përgjimeve. Në serinë e katërmbëdhjetë të “Dosjes së Shefave”, dëshmohet tentimi i Lushtakut për t’i bërë një vend të mirë në institucionet shtetërore paraardhësit të tij, Ramadan Gashit.

Lushtaku deri para disa muajsh u përball me drejtësinë në një proces të gjatë gjyqësor nën dyshimet për korrupsion, por në fund doli i pafajshëm.

Një skandal tjetër ku përmendej emri i Lushtakut ishte kërcënimi i kreut të gjykatës së tenderëve, Blerim Dinës, nga dy njerëz – njëri prej tyre Shaban Lushtaku, kushëri i Sami Lushtakut.

Pasi ishte kërcënuar në banesën e tij nga këta dy persona, kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit i kishte rrëfyer rastin në një intervistë me Insajderin. Kishte thënë se Shaban Lushtaku dhe Naim Sallahu, dy njerëzit që e kishin kërcënuar, ia kishin përmendur Sami Lushtakun, shkruan Insajderi.

Shumë i fuqishëm politikisht dhe brenda PDK-së vazhdon të jetë edhe Xhavit Haliti. Sikurse Lushtaku edhe ai është përfshirë në afera të dyshimta korruptive në të kalurën.

Gjatë vitit 2019, Haliti është përfshirë në aferën “fajdet” në të cilën, siç dëshmojnë disa videoinçizime që ka siguruar dhe publikuar Insajderi, përmendet edhe emri i ish-nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Edhe pse nga bisedat në videon ku diskutohet për fajde theksohet se “Xhavit Haliti nuk ua kryer punën, por Kadri Veseli”, emri i Halitit përmendet disa herë.

Protagonisti në “Aferën e fajdeve”, Rrahim Hashimi, pretendon se ka takime të shpeshta me Kadri Veselin dhe Xhavit Halitin. Në videon e realizuar më 31 janar 2012, Rrahim Hashimi pretendon se pa kryetarin aktual të Kuvendit, Xhavit Haliti, “kjo punë nuk do të kryhej”, shkruan Insajderi.

Pa poste të rëndësishme brenda PDK-së nuk ka mbetur as Elmi Reçica, ish-anëtari i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Kadri Veselit.

Një raport i shërbimeve mike të Kosovës pjesë e NATO-së, e ndërlidhnin atë me tregun e drogës në Kosovë.

Ky raport, i publikuar kohë më parë e akuzonte SHIK-un për kontroll të tregut të drogës në Kosovë. Këto raporte në veçanti akuzojnë deputetin e PDK-së, Elmi Reçica.

NATO-ja ia kishte bërë një portret të gjerë bazuar në vëzhgim dhe përcjellje të gjatë të Elmi Reçicës. Atë e cilësonte si njeri shumë të fuqishëm që kontrollon tregun e drogës, shkruan Insajderi.

Dhe duket se krejt këto veprime Kadri Veseli nuk do të mund t’i zhbëjë – pavarësisht se gjatë fushatës zotohej për luftë kundër korrupsionit – duket se fuqia politike e Lushtakut, Haliti dhe Reçicës po mund “premtimet” e dhëna të shefit./Insajderi.com