“Kadri Zeka” i lë studentët pa bursa

“Kadri Zeka” i lë studentët pa bursa

Enis Rushiti, student i dalluar i Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Kadri Zeka” Gjilan, ndonëse i  kishte përmbushur të gjitha kriteret për bursën studentore, dhe ishte i pari në listën e përfituesve nga ky fakultet ka më shumë se një vit që pret për t’i marr paratë që i meriton.

Madje, ai thotë se është i vetmi nga 30 përfituesit që nuk i ka marrë ende paratë.

E ai mos kalimin e parave në xhirollogarinë e tij po e konsideron si politike.

Rushiti ka thënë për Gazetën Fjala se arsyeja se pse atij nuk po i alokohen mjetet financiare është se ai ka qenë shumë kritikues gjatë ligjëratave.

“Jam i vetmi student nga Fakulteti Ekonomik që nuk i kam marrë paret, prej përfituesve. E kjo po doket shumë e qëllimshme. Për këtë rast kanë qenë të informuar Rektori, Sekretari, Dekani, Prodekani i FK Ekonomik dhe disa prej stafit te rregullt akademik”, ka thënë Rushiti për Gazetën Fjala.

Buxheti ”për subvencionim të studentëve” konkretisht ”bursave studentore” në këtë universitet është i kufizuar në shumë prej 10 000 eurove, si dhe ndahet proporcionalisht për të gjithë përfituesit. E përfitues të bursave kanë qenë gjithsej 30 studentë.

E shuma e parave që ia ka “borxh” universiteti Rushitit është 330 euro. Ndonëse më herët shuma që merrnin përfituesit të bursave ishte 900 euro, tani kjo shumë është ulur, ndërsa kriteret për bursa janë ngritur.

Për rastin e Enis Rushitit, është në dijeni edhe Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” Gjilan, Bajram Kosumi.

Kosumi në një bisedë telefonike për Gazetën Fjala ka thënë se është i informuar për këtë rast, dhe se mjetet do t’i alokohen Rushitit shumë shpejt.

“Jam informuar me këtë rast. Ky është një gabim teknik, pasi numri i xhirollogarisë së studentit ka qenë gabim. Por, shumë shpejt këto mjete do të kalojnë në xhirollogarinë  e tij”, ka thënë Kosumi.

Por, Rushiti nuk është i vetmi që nuk i ka marrë mjetet financiare. Rast të njëjtë me të kanë edhe katër student të tjerë.

E se këta studentë ende nuk i kanë marrë beneficionet që u takojnë këtë e kanë konfirmuar për Gazetën Fjala, edhe nga “Kadri Zeka”.

“Gabimi teknik” i universitetit

Por, arsyen se pse këta studentë që një vit nuk i kanë marrë bursat, nga universiteti  ia kanë atribuuar një “gabimi teknik”.

“Pesë studentë, përfshirë edhe Enisin, nuk i kanë marrur mjetet financiare (bursën) vitin e kaluar, për shkak të një gabimi teknik”, kanë thënë nga Universiteti “Kadri Zeka’ për Gazetën Fjala.

Ata thonë se alokimi i mjeteve për këtë kategori ka qenë i paraparë të realizohet në tremujorin e fundit të 2017 dhe se pagesa për këta bursistë është në fazën e fundit të realizimit.

“Kompensimet  e tyre janë në proces, sepse alokimi i mjeteve për kategorinë e subvencioneve ka qenë i paraparë të ndodh në tremujorin e fundit të vitit 2017.”

E arsyen për vonesë ata ia lënë rishikimit të buxhetit.

“Siç jeni në dijeni edhe ju, për shkak të rishikimit të buxhetit, alokimi për tre mujorin e fundit të vitit 2017 është bërë me vonesë, prandaj edhe pagesa për këta bursistë të mbetur është në fazën e realizimit”, janë deklaruar nga Universiteti për Gazetën Fjala.

Në pamundësi që universiteti ta përmirësoj gabimin teknik, këto mjete kanë kaluar në Suficitin Buxhetor.

“Mjetet e parealizuara për vitin fiskal 2016 sipas ligjit kalojnë ne Suficit Buxhetor, sepse realizimi i bursave për studentet është kryer me date 24.12.2016, date kjo kur përmbyllet viti fiskal, andaj ne si universitet nuk kemi pasur mundësi kohore qe te përmirësojmë  gabimin teknik te ndodhur.”

E Rushiti thotë se vitin e kaluar janë organizuar zgjedhjet studentore, dhe nga buxheti i bursave janë marrë 1000 euro për këtë qëllim.

Por, nga universiteti mohojnë një gjë të tillë dhe thonë se mjetet që janë të destinuara për bursa të studentëve nuk mund të shfrytëzohen për asnjë aktivitet tjetër.

“Sa i përket asaj që ju thoni, se pse janë marre mjetet nga Kategoria e Subvencioneve (kategori kjo ku paguhen bursat e studenteve) për pagese te aktiviteteve për zgjedhjet studentore, kjo nuk qëndron, sepse mjetet nga kjo kategori janë te destinuara vetëm për bursa te studenteve dhe nuk munde te shfrytëzohen për asnjë aktivitet tjetër”, thuhet në përgjigjet e Universitetit për Gazetën Fjala.

Për shumën e ulët të bursave, në një nga vendimet e këtij universiteti që ka siguruar Gazeta Fjala thuhet se senati do të rishikojë rritjen e vlerës mesatare të bursës për secilin student.

“Senati i UKZ-së do ta rishikojë edhe një herë rritjen e vlerës monetare të bursës për secilin student përkatës, nga buxheti i vitit 2016”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Rektori i këtij Universiteti, Bajram Kosumi.

Ndërkohe Universiteti edhe pse ende u ka “borxh”pesë studentëve bursat e vitit të kaluar, ka shpallur konkurs për bursa studentore për vitin 2017/2018./Gazeta Fjala/