Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka kritikuar ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvallën për fjalimin e saj që mbajti sot në Këshillin e Sigurimit kur flitej për Kosovën.
Ajo tha se ka pritur që ajo vet dhe qindra e mijëra luftëtarë të UÇK-së të mbrohen nga kryediplomatja e shtetit, e jo heshtje nga ajo.
“Unë nuk jam terroriste (sipas pretendimeve të Serbisë) por qytetare e Kosovës dhe ish-luftëtare e lirisë që e kam kryer detyren me nder për vendin tim, e të paktën këtu unë dhe qindra e mijëra luftëtarë lirie kemi prit mbrojtje dhe jo heshtje nga kryediplomatja e shtetit të Kosovës”, tha Kadrijaj.
Deputetja e AAK-së ka thënë se në Këshillin e Sigurimit duhet të filtet për interesa shtetërore, e jo tema të brendshme.
“Në Këshillin e Sigurimit kur flitet për Kosovën, përfaqësuesi i Kosovës duhet të flas për interesa shtetërore e jo për tema te brendshme brenda shtëpisë. Njerëzit dhe familjet e sakrificave nacionale gjithmonë do ta gëzojnë respektin dhe nderimin e popullit por kjo askënd nuk e fal nga gabimet dhe shkarjet në raport me mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave shtetërore”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.
Sipas Kadrijajt, nuk flitet për krim e korrupsion në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, por flitet për realitetin që daton nga 17 shkurti 2008./Insajderi.com