Kadrijaj: Reciprociteti për targat s’duhet të përdoret për fushatë

Kadrijaj: Reciprociteti për targat s’duhet të përdoret për fushatë

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, vlerëson se vendimi për reciprocitet me targat e veturave nga Serbia, “nuk duhet të përdoret për fushatë në prag të zgjedhjeve lokale nga Qeveria Kurti”.

Sipas saj, një vendim i tillë do të duhej merrej në një kohë më të përshtatshme, teksa ka shtuar se lëvizjet që po bëhen nga Serbia në drejtim të kufijve të Kosovës, “janë kërcënim për të destabilizuar situatën”.

“Kjo Qeveri e ka promovuar çështjen e reciprocitet. Nëse do të duhej të vendosej nuk është dashur të përdoret kjo periudha e fushatës zgjedhore, kur po mbahen zgjedhjet nacionale ose në fazën që tash është raundi tjetër i bisedimeve. Unë po shpresoj që kjo nuk është çështje e fushatës zgjedhore”, shprehet ajo për EO.

Kadrijaj ka falënderuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, që sipas saj, po e mbrojnë integritetin e shtetit.

Shpreson që për gjendje në veri, Qeveria e Kosovës është në koordinim të plotë me shtetet e QUNIT-it.

Ndryshe, të hënën e 20 shtatorit, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të gjitha veturat që hyjnë nga Serbia t’i zëvendësojnë targat e veturave me ato të Kosovës, të cilat vlejnë 60 ditë.

Lidhur me këtë, banorët e komunave me shumicë serbe në Veri të Kosovës si shenjë revolte kanë bllokuar rrugën që nga e hëna deri më tash.

Për të monitoruar situatën, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është duke qëndruar që nga fillimi i vendosjes së reciprocitetit me targat në pikat kufitare.

Asnjë incident nuk është raportuar deri më tash, por që ka pasur reagime nga krerët institucionalë të dy shteteve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka kërkuar tërheqjen e të gjitha trupave të Policisë së Kosovës në pikat kufitare, në mënyrë që të vazhdojë dialogu.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nëse targat largohen, këtë duhet ta bëjnë të dy shtetet./Insajderi.com