Deputetja Margarita Kadriu, në fjalimin e saj në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar nga autoritetet shtetërore që të marrin masa ndaj personave përgjegjës për humbjet e Kosovës në arbitrazhe ndërkombëtare.
Në fjalimin e saj, ish-nënkryetarja e PDK-së, ka thënë se qysh para tetë muajve kishte ngritur alarmin se Kosova mund të pësojë në arbitrazhe porse ishte injoruar.
“Prej kërkesës time për aprovimin e rekomandimeve kaluan mbi 8 muaj, e fakti se tanimë shkuan edhe 40 milionë euro të tjera, siç duket, edhe sot për zyrtarët e lartë të shtetit nuk është ndonjë arsye për të marrë masa!,” ka thënë ajo.
“Përgjegjësit, kushdo qofshin ata, duhet të përballen me pasojat ligjore. Kështu do të krijohej një precedent pozitiv, në mënyrë që askush të mos guxojë të synojë e të planifikojë ta dëmtojë buxhetin e shtetit, ose shtetin dhe qytetarët”, ka thënë Kadriu.
“A do të mbajë ndonjëherë dikush në këtë shtet, jo vetëm përgjegjësi politike, por edhe juridike e penale për këto zhvatje që po i bëhen buxhetit të taksapaguesve kosovarë?!”
Por, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se vetë deputetja Kadriu ka përfituar nga shteti i Kosovës.
“Terminalet doganore janë dorëzim i pastër i shtetit. Kur privatizohen doganat privatizohen edhe doganierët, shumë prej të cilëve tash më shumë punojnë për Devollët e Ramiz Kelmendin e Margarita Kadriun sesa për Republikën tonë”, ka thënë Kurti gjatë fjalimit të tij para deputetëve.
Deputetja Kadriu, që dikur njihej si kritikuese e ashpër e kryeministrit Isa Mustafa, ka përfituar nga një vendim i qeverisë që drejton ai.
Insajderi kishte raportuar në muajin prill të vitit 2016, se licencën për hapjen e terminalit, Kadriut ia kishte nënshkruar Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku.
E këtë terminal ish-deputetja e PDK-së dyshohet se e kishte fituar, pas votës pro zgjedhjes së Hashim Thaçit President të Kosovës, në kuvend.
Insajderi kishte zbuluar se Qeveria e koalicionit PDK-LDK, vetëm dy muaj para se të votohej në Kuvendin e Kosoës për zgjedhjen e Hashim Thaçit President të Kosovës, kishte ndryshuar bazën ligjore për t´iu përshtatur kompanisë “City Park“./Insajderi.com