Kajtazi kërkon që autorët e sulmit ndaj tij të dalin para drejtësisë (video)

Kajtazi kërkon që autorët e sulmit ndaj tij të dalin para drejtësisë (video)

Dhjetëra qytetarë e kanë mbështetur protestën e gazetarëve në Prishtinë, pas sulmit të djeshëm ndaj kryeredaktorit të gazetës Insajderi, Vehbi Kajtazi.

Shkëlqim Hyseni, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve ka thënë se janë mbledhur sot për të protestuar para qeverisë dhe Kuvendit për dhunën që po vazhdon të ushtrohet ndaj gazetarëve në vendin tonë.

“Para pak muajsh kishim sulmin ndaj drejtorit të Insajderit, Parim Olluri, dhe ende nuk ka rezultate të hetimeve, kurse dje u sulmua edhe Vehbi Kajtazi”, ka thënë Hyseni.

Ndërsa vetë Vehbi Kajtazi ka thënë se nuk do të ndalet në punën e tij me gjithë sulmet e vazhdueshme ndaj tij dhe kolegëve të tij gazetarë.

“Të nderuar kolegë ju faleminderit për mbështetjen. Para meje është sulmuar kolegu im Parim Olluri dhe kjo tregon se ky presion mbi media është i vazhdueshëm”, ka thënë Kajtazi.

“Këta janë njerëz që janë të lidhur me pushtetin dhe me politikën, ajo që dua të them është se sulmi i fundit ka ndodhur për shkak të punës sime, për shkak të shkrimeve që kam pasur kohët e fundit. Unë e njoh sulmuesin tim dhe shpresoj që ai së shpejti të dalë para drejtësisë”, ka thënë Kajtazi.

“Dua të them se unë do të vazhdoj me punën time me përkushtim dhe nuk do të ndalë ky sulm”, ka thënë në fjalën e tij Kajtazi.