Kalkulimet për koalicione lënë prapa përplasjet mes partive

Kalkulimet për koalicione lënë prapa përplasjet mes partive

Ende pa u bërë një orë pas rrëzimit të Qeverisë Mustafa, partitë kanë filluar deklarimet për koalicione të mundshme, duke lënë prapa marrëdhënien e vështirë që ato ndërtuan mes vete për rreth tre vjetëve të kësaj legjislature.

Rreth një vit e gjysmë para përfundimit të mandatit, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Isa Mustafa, është rrëzuar me një shumicë të fortë parlamentare. Shkarkimin e qeverisë me 78 vota e iniciuan partitë opozitare, ndërsa atë e kanë përkrahur edhe deputetët e PDK-së, që ishte pjesë e koalicionit qeverisës.

Sistemi zgjedhor në Kosovë domosdoshmërish krijon nevojën e lidhjes së koalicioneve, ndërsa partitë tashmë vetëm kanë filluar të japin deklaratat e para rreth kësaj çështje.

Në këtë situatë, partitë në fakt pritet të lënë prapa marrëdhënien e vështirë që kanë pasur gjatë kësaj legjislature, ku nuk ka munguar as dhuna e gazi lotsjellës.

Fillimisht, opozita bënte kundërshti të fortë ndaj qeverisë për shkak të nënshkrimit të dy marrëveshjeve ndërkombëtare – demarkacionit e asociacionit – por në disa muajt e fundit, kanë qenë vetë partitë e koalicionit që nuk kanë kursyer akuza të ashpra në drejtim të njëra-tjetrës.

Me Ligjin për Zgjedhjet, vendi duhet të shkojë në zgjedhje nga 30 deri në 45 ditë, më së largu, e që i bie më 11 qershor, eventualisht më 18 të po atij muaji.

Skenari i marrëveshjes mes PDK-së me AAK-në e Nismën

Aktualisht, vetëm AAK dhe Nisma kanë zyrtarizuar një koalicion parazgjedhor. Bashkimi i këtyre dy partive ka ardhur pas një bashkëpunimi më të gjerë, ku kanë qenë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, menjëherë pas përfundimit të seancës ku u rrëzua Qeveria, tha se ata do të shkojnë së bashku me Nismën në zgjedhje dhe se nuk kanë marrëveshje tjetër.

Sipas Haradinajt, AAK e NISMA mbështeten edhe tek përkrahje e shoqërisë civile, por kanë vijë të kuqe për LDK-në e PDK-në për ndonjë marrëveshja parazgjedhore.

“Në asnjë variant nuk do të bashkëpunojmë me partitë në pushtet”, ka thënë ai kur është pyetur për një koalicion të mundshëm me PDK-në.

“AAK ka vija të kuqe me këto parti”, ka shtuar ai.

Por, një afërsi mes AAK-se dhe PDK-së është përmendur nga zyrtarë të dy partive të tjera parlamentare – VV-së dhe LDK-së. Sekretari Organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj, kishte akuzuar AAK-në për një afrim me PDK-në para disa javëve, ndërsa javën e kaluar deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se PDK tashmë ka filluar bisedimet me AAK-në për lidhjen e një koalicioni.

Në anën tjetër, pjesë e konsiderueshme e Nismës për Kosovën, kanë qenë në të kaluarën pjesë të PDK-së, përfshirë këtu kryetarin Fatmir Limaj, sekretarin Bilall Sherifi dhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Bazuar në faktin se PDK tashmë dy herë ka prishur marrëveshjen e koalicionit me LDK-në, besohet se kjo parti do të kërkojë koalicion pikërisht me AAK-në e Nismën, në rast se arrin të fitojë zgjedhjet në qershor.

LDK e Vetëvendosje nuk përjashtojnë mundësinë e koalicionit

Por, PDK nuk mund të llogaritë në mbështetjen e VV-së, e cila në një numër rastesh ka thënë se ka vijë të kuqe ndaj partisë që drejtohet nga Kadri Veseli.

Ndërkohë, zyrtarë të kësaj partie, por edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e kanë lënë të hapur mundësinë e një marrëveshje koalicioni mes vete.

“Ne kemi pasur kontaktet tona me shumë subjekte dhe po e shqyrtojmë mundësinë se cili do të ishte partneri ynë”, ka thënë Glauk Konjfuca pas përfundimit të seancës së Kuvendit, duke ripërsëritur qëndrimin për refuzimin ndaj PDK-së.

Kryetari i VV-së, Visar Ymeri. mbrëmë në emisionin Rubikon të KTV-së ka thënë se në fakt një koalicion mes dy partive është i mundshëm por me një LDK të reformuar.

“Po, me një LDK tjetër. Në një situatë ku Vetëvendosja del e para atëherë më një LDK të reformuar. LDK e një krahu progresist e cila është aktualisht në LDK por është shtypur për shkak të pozitës që kanë në pushtet”, ka thënë ai, duke shtuar se koalicioni nuk mund të lidhet nëse në krye të LDK-së vazhdon të jetë Isa Mustafa.

Ismet Beqiri nga LDK, pas përfundimit të seancës tha se të gjitha partitë janë bërë së bashku për të rrëzuar ata.

“Sidoqoftë kjo është gjeografia politike, këto janë partitë politike”, tha ai.

Por, ai nuk përjashtoi mundësinë e koalicionit me LVV-në. Ai vetëm tha se deri më tani nuk ka pasur kontakte mes dy partive lidhur me këtë çështje.

Kurse, Arben Gashi (LDK), ka thënë se subjekti të cilit i përket dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet të shikojnë mundësinë e një koalicioni. Ai ka deklaruar se të dy palët duhet të dalin mbi ndasitë dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët, për një marrëveshje, në të mirë të vendit.

“Unë do t’i bëja thirrje liderëve, të LDK-së dhe VV-së, që të ulen dhe të merren vesh për një koalicion. Është në të mirën e vendit që kjo të ndodhë. Nëse ka qëllim për të ndërtuar kauzë të përbashkët, për ndryshim substancial, atëherë mund të gjendet gjuha e përbashkët për të pasur koalicion. Mendoj që një qeveri e përbashkët me VV-në do ta bënte më lehtë të menaxhueshëm tranzicionin”.

Alternativa dhe AKR e Pacollit

Përveç dy partive aktuale të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, janë edhe dy parti të cilat në qershor synojnë t’i bashkohen kuvendit.

Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit po synon që në këto zgjedhje të fitojë rreth 20 për qind të votave dhe të rikthehet në jetën parlamentare të vendit.

Korab Sejdiu nga kjo parti, ka thënë të martën se kanë pasur biseda me LDK-në për një bashkëpunim të mundshëm. Por, sipas tij, një gjë e tillë nuk ka ndodhur formalisht.

Në anën tjetër, edhe “Alternativa” e ish-deputetit të VV-së, Ilir Deda dhe kryetares së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila synon të kalojë pragun zgjedhor.

Mediat kanë raportuar se në fakt Deda dhe Kusari-Lila tashmë janë takuar me kryetarin e VV-së, Visar Ymeri, porse nuk është bërë e ditur lidhur me arsyet e takimit./Insajderi.com