“Kallxom kur po dalim, Doarsë”, Mentor Shala i RTK-së me gjuhë fyese ndaj deputetes

“Kallxom kur po dalim, Doarsë”, Mentor Shala i RTK-së me gjuhë fyese ndaj deputetes

Zëvendësdrejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala, ka reaguar me gjuhë fyese dhe të papranueshme ndaj deputetet së Listës Guxo, Doarsa Kica-Xhelili, e cila në një intervistë gjatë mbrëmjes së djeshme e kishte përmendur atë si zyrtar të RTK-së, njofton Insajderi.

Kica-Xhelili në këtë intervistë ka akuzuar RTK-në se e ka ndërprerë transmetimin direkt, kur në komision po flitej për Shalën.

Kësaj deklarate i është përgjigjur Shala duke thënë se “Bukuroshja ka qef me fol për mu, a dalim në drekë a darkë, kallzom kur po dalim”.

“Doarsa bukuroshja paska fol mbrame prap për mu. Shumë bre ka qef me ma përmend emnin. Po më duket vetëm te unë e ka mendjen! A e caktojmë një takim Doarsë, për drekë a për darkë a? Që don i thrrasim edhe ato mikeshat e tua në RTK! Knaqemi edhe t’kallxoj krejt për RTK-në, edhe nime e kupton çka është RTK-ja! E miqt e RTK-së?! Jo valla s’pi thrrasim! Kallxom, kur po dalim, Doarsë!”, ka shkruar Shala në Facebook.

Kica-Xhelili, e cila njëherësh është kryetare e Komisionit Parlamentar për Media, ka deklaruar se këtë çështje nuk ka dashur ta ngris, edhe pse thekson se ndërprerja e transmetimit kur përmendej emri i Shalës ka qenë e çuditshme.

“Kam kuptuar se në kohën kur kjo po jipej nga RTK live, është ndërprerë në momentin që kemi filluar të flasim për z.Shala. Nuk kam dashur të ngris çështje sa për të qenë. Ka qenë pak e çuditshme që në ato momente është ndërprerë transmetimi por sinqerisht nuk dua të lëshohem në atë pjesë”, ka thënë ajo. /Insajderi.com