Me 77 vota pro, një kundër dhe një deputet që nuk ka marrë pjesë në votim, Kuvendi i Kosovës ka votuar në leximin e parë Projektligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Kosovës, njofton Insajderi.
Menjëherë pas miratimit në shqyrtim të parë të projektligjit, kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj, ka kërkuar që ky projektligj të futet në procedurë të përshpejtuar.
Shqyrtimi i dytë i projektligjit pritet të bëhet me 14 gusht dhe nëse votohet do të hyjë në fuqi menjëherë.
Deputetët e kanë votuar edhe propozimin e Reshitajt për të vazhduar projektligjin me procedurë të shpejtë.
Projektligji, që shkurt po quhet, anti-COVID’19, pos tjerash pritet ta bëjë të ndalueshme me ligj edhe deklarimin se “virusi nuk ekziston”, apo se “nuk ka virus”.
“Kush thotë që ‘nuk ka virus’ duhen dënim konkret. Dezinformata të tilla nuk do të duhej të liheshin pa u ndëshkuar”, ka thënë Vjosa Osmani, derisa ka prezantuar projektligjin para deputetëve.
“Ky ligj mund të plotësohet edhe me shumë amendamente dhe shpresoj shumë që bashkërisht do të mund ta plotësojmë për ta bërë të zbatueshëm nga ana e qeverisë”, tha ajo.
Osmani ka deklaruar gjithashtu se “ky ligj nuk është i Vjosa Osamanit, por i deputetëve të Kosovës”, prandaj “shpresoj se të gjitha grupet parlamentare do të bashkohen”.
Kjo nisëm ligjore ka ardhur nga Kuvendi. Diçka e rrallë në Kosovë, pasi edhe pse deputetët dhe parlamenti e ka këtë të drejtë të ndërmarre nisma ligjore, nuk është se ka qenë praktikë në të kaluarën.
“Ne e kemi ndërmarrë këtë iniciativë me një grup më të vogël të deputetëve, por shpresoj shumë që sot ta tregojmë unanimitet për këtë ligj”.
Projektligji është iniciuar para tre muajsh, në prill, por vetëm sot është arritur të votohet në leximin e parë./Insajderi.com