“Kam qenë pak nervoz dhe i sëmurë” – Arsyet e Pacollit për mungesë në interpelancë

“Kam qenë pak nervoz dhe i sëmurë” – Arsyet e Pacollit për mungesë në interpelancë

Për më shumë se katër orë, ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme. Në këtë raportim, kreu i diplomacisë kosovare është përgjigjur për dështimin e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe lajmet se disa shtete kanë tërhequr njohjet e tyre.

Gjatë raportimit të tij para deputëtëve, Pacolli është pyetur nga deputët edhe për deklaratat e ish-diplomatit të Kosovës Sabri Kiqmari, ku ky i fundit pati thënë se ka tërheqje të njohjeve.

Me këtë rast, ai është shprehur se nuk e njeh personalisht Kiqmarin, teksa sa i përket ish-ministrit të Punëve të Jashtme, tash zëvendëskryeministër, Enver Hoxhaj, ka thënë se ndoshta ai di diçka më shumë, porse deri më tash nuk ka pasur diçka të tillë zyrtare në MPJ.

Mungesa e ministrit Pacollit për një kohë të gjatë në këtë komision dhe në interpelancën parlamentare, ka bërë që mbledhja e sotme e këtij komisioni të zgjasë për më shumë se 4 orë.

Ndërkaq, ai nuk ka hezituar të tregojë arsyen e tij që e shtyri të mos i përgjigjet komisionit përkatës.

“Do të kisha dashtë shumë që secili të kuptojë shpirtin tim konstruktiv, do të thotë të distancohet prej ofendimeve. Sepse nuk jam njeri që i duroj ofendimet, s’i duroj ofendimet. Nuk jam njeri që ofendoj njerëz, mundem vetëm rastësisht me e prek dikë, nuk ofendoj dhe nuk dua me qenë i ofenduar. Për këtë arsye e keni parë edhe hezitimin tim. Ndoshta kam mundur me ardhur në interpelancën parlamentare, kam qenë pak i sëmurë, kam qenë nervoz, kam mundur aty me u ofenduar dhe e kisha marrë fletoren time dhe kisha dal jashtë”, tha ai.