Kamberi: Çështja e Luginës të jetë prioritet në dialogun Kosovë-Serbi

Kamberi: Çështja e Luginës të jetë prioritet në dialogun Kosovë-Serbi

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se çështja e Luginës së Preshevës duhet të jetë prioritet në dialogun Kosovë-Serbi, transmeton Insajderi.

Ai ka shfaqur shpresën që institucionet e reja të Kosovës do të kenë program të saktë për ndihmën ndaj shqiptarëve në këtë pjesë.

“Shpresoj që Qeveria e re të këtë një program të qartë për ndihmë të përhershme për Luginën e Preshevës”, ka thënë Kamberi.

“Në dialogun me Serbinë kërkojmë që të drejtat e shqiptarëve të Luginës të jetë barabarta me të drejtat e serbëve në Kosovë”, ka thënë Kamberi në “Debat” të RTK-së.

Sipas tij, shqiptarët e Luginës së Preshevës asnjëherë nuk janë munduar të imponojnë agjendën e Republikës së Kosovës në bisedime, por kërkojnë që pozita e rëndë e shqiptarëve në Serbi të trajtohet sa më parë.

“Ne duam vendosjen e parimit të reciprocitetit për të drejtat e njëjta në Luginë për shqiptarët, si për serbët në Kosovë”, ka thënë Kamberi. /Insajderi.com