Kamberi polemizon me ministrat serbë në Parlamentin e Serbisë (VIDEO)

Kamberi polemizon me ministrat serbë në Parlamentin e Serbisë (VIDEO)

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka pasur një polemikë me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, ministren për Integrime Evropiane, Jadranka Joksimovic si dhe përfaqësuesin e grupit parlamentar të SNS-së, Aleksandar Martinoviq, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, Kamberi, ka publikuar një pjesë të deklaratës së tij drejtuar Joksimoviqit dhe Martinoviqit, në lidhje me demokracinë, pasi që kishte qenë Joksimoviq, ajo e cila i kishte thënë Kamberit se shenjë e demokracisë është edhe pjesëmarrja e tij në Kuvendin e Serbisë.

“Pjesëmarrja ime në parlament është rezultat i pjesëmarrjes në zgjedhje dhe përkrahjes së qytetarëve. Demokracia e as shteti nuk më kanë dhënë dhuratë këtë mandat. Nuk më keni falë ju asgjë. Nuk është kjo e drejtë të cilën me zemërgjerësi na ka fal shteti. Nëse të drejtën time për të folur lirshëm e konsideroni si rezultat të jashtëzakonshëm të demokracisë, atëherë, zonja dhe zotërinj. Ju keni probleme serioz me demokracinë”, ka thënë ndër të tjerash Kamberi.

“E nëse po flisni për Bujanocin dhe mospërfshirjen e partive politike serbe në shumicën e re, kujtone Medvegjën, ku për herë të parë në vitin 2018 i keni përjashtuar shqiptarët nga qeverisja lokale. Ju nuk e keni hallin e serbëve të Bujanocit. Ju e keni hallin e SNS-it në opozitë”, është shprehur tutje ai. /Insajderi.com