Kamberi: S’mund të ketë kompromis derisa Serbia nuk flet hapur për krimet në Kosovë

Kamberi: S’mund të ketë kompromis derisa Serbia nuk flet hapur për krimet në Kosovë

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, vlerëson se nuk mund të ketë pajtim e as marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, derisa kjo e fundit mohon krimet që ka shkaktuar në Kosovë.

Kamberi në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se Serbia, fillimisht duhet të kërkojë falje, të pranojë krimet dhe të ballafaqojë popullin serb me të vërtetën.

Ai ka folur edhe për fjalimin e tij të famshëm të javës së kaluar që bëri bujë kudo. Ai akuzoi krerët e Serbisë për gjithçka të keqë që u kanë bërë Kosovës dhe shqiptarëve. Ftoi edhe kryeministren Ana Bërnabiq, në seancën kur u votua Qeveria e saj, që së bashku të vizitojnë Batajnicën, ku shumë vite më parë janë gjetur trupa të shqiptarëve të vrarë në luftë.

“Ajo është dashur të përmendet pikërisht në zgjedhjen e qeverisë, ishte një moment i mirë. Por nuk mund të ketë pajtim në rast se ti fsheh varrezat masive, nuk mund të ketë pajtim derisa ti mohon se ke kryer krime në Kosovë. Nuk mund të ketë pajtim duke barazuar gjërat me mënyrën ‘keni vrarë ju kemi vrarë edhe ne”, tha Kamberi./Insajderi.com