Kamberi tregon si nisi përplasja me kryeministren serbe

Kamberi tregon si nisi përplasja me kryeministren serbe

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, u deklarua lidhur me përplasjen verbale që ka pasur të hënën në Parlament me Kryeministren serbe, Ana Brnabiq, transmeton Insajderi.

Ai tha se shkak i përplasjes ishin ndryshimet kushtetuese që kishte kërkuar të bëhen, që sipas tij, e kishin irrituar shefen e qeverisë serbe.

“Në seancën e sotme unë shtrova kërkesën dhe nevojën, me qëllim të përshpejtimit të integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, kushtetuta duhet të ndryshohet tërësisht dhe jo vetëm në mënyrë parciale. Kjo ishte një nxitje e një shkëndije që irritoi Brnabiq, e cila me fjalë denigruese u mundua ta përshkruajë Kosovën se ka kryer krime ndaj Serbëve, ndërsa unë i kujtova faktin e varrezave masive në Serbi me shqiptarë”, u shpreh Kamberi në A2.

Ndërsa, lidhur me vizitën e dy politikanëve perëndimorë në Kosovë, Miroslav Lajçak dhe Mathew Palmer, ai tha se shpreson që të jetë iniciativë serioze e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të bindë Serbinë të futet në dialog me Kosovën për të arritur marrëveshjen përfundimtare.

“Megjithatë, unë jam skeptik pasi në Serbi vitin e ardhshëm janë zgjedhjet presidenciale dhe nuk mund të pres nga Vuçiq të njohë Kosovën para zgjedhjeve. BE ka shumë mekanizma që të bindë Serbinë për të ndryshuar sjellje”./Insajderi.com