Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka uruar Vjosa Osmanin pas zgjedhjes si presidente e Kosovës, njofton Insajderi.
Kamberi në urimin e Osmanit ka përgëzuar edhe qeverinë dhe deputetët për përmbylljen me sukses të themelimit të institucioneve të reja, ndërsa ka thënë se edhe LDK-ja ka luajtur rol konstruktiv në këtë proces.
“Uroj Zonjën Vjosa Osmani-Sadriu për zgjedhjen e saj Presidente e Republikës së Kosovës.Përgëzoj Kryeministrin, Qeverinë dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për përmbylljen me sukses të themelimit të institucioneve të reja.
Respekt Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për rolin e tij përcaktues në shmangien e zgjedhjeve të reja dhe për shembullin e dhënë të një opozite shtetndërtuese”, ka shkruar Kamberi.
Ai më tej tha se beson që Lugina e Preshevës do të jetë një nga prioritetet e institucioneve të Kosovës, në funksion të dinamizimit të bashkërendimit me të zgjedhurit e Luginës së Preshevës, për zbatimin e një startegjie, plani dhe programi të përbashkët./Insajderi.com