Prokurori i Gjykatës Themelore në Prizren, ka bërë të ditur se pjesë e provave në rastin e vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren janë edhe kamerat e sigurisë që janë të vendosura brenda objektit të kësaj qendre.
Prokurori Metush Biraj, i ka thënë KTV-së përmes telefonit, se rastin po e trajtojnë me seriozitet, derisa ka bërë të ditur se në cilësi të provave, janë marrë edhe xhirimet e kamerave të sigurisë, që janë brenda në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Pamjet sipas Birajt janë duke u analizuar bashkë me provat e mbledhura, por deri më tani nuk ka ndonjë të dyshuar.
Dehari, aktivist i Vetëvendosjes vdiq para tri dite në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej i burgosur për 68 ditë nën akuzën për pjesëmarrje në sulm ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës.
Vdekja e Deharit që u varros të martën pasdite pas një marshimi në të cilën morën pjesë qindra qytetarë në kryeqytet, ka ngjallur dyshime nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje e cila ka akuzuar pushtetin për vrasjen e tij.
Ish-kryetari i kësaj partie, deputeti Albin Kurti të hënën mbrëma ka dhënë një intervistë për Interaktiv nëpërmjet së cilës ka thënë se “Astriti është vrarë dhunshëm, me një shishe të plastikës duke penguar procesin e frymëmarrjes që ka quar në vdekjen e tij.
Të dhënat zyrtare pas procesit të obduksionit bëjnë të ditur se Dehari ka vdekur si pasojë e pengimit të frymëmarrjes por nuk janë dhënë detaje të tjera./Insajderi.com