Kampi i internimit në Tepelenë, “ferri” i rrethuar me tel me gjemba

Kampi i internimit në Tepelenë, “ferri” i rrethuar me tel me gjemba

Dëshmi rrëqethëse vijnë edhe pas shumë dekadave të mbylljes së kampit të internimit të Tepelenës, njerëzit tregojnë për atë kohë të izolimit të shqiptarëve, për ish të përndjekur të rrethuar në kamp internimi nga telat me gjemba.

Ata flasin, mëshirojnë, kujtojnë me dhimbje kohën e një regjimi “despotik”, që si hakmarrje kishte mohimin e lirisë qytetarë, dhunimin e të drejtave dhe shpesh herë nuk u kursente as jetën, raporton ATSH.

Por çfarë ka mbetur nga kampi i internimit të Tepelenës, si nisi dhe si vizatohet ai sot në memorien qytetare.

Historitë vijnë të trishta, vendosur në një sfond të dramatizuar, pasi Kampi i Tepelenës u ideua në një zonë të minuar, me predha të mbetur nga lufta italo-greke, ku dëshmitar kishte lumin Vjosa dhe vetë xhelatët që shumica nuk rrojnë më.

Kampet e internimit renditen në diktaturë si kampet e vdekjes për nga mënyra se si funksiononin si qendra të vuajtjes dhe të izolimit, mënyra e punës së detyruar, kequshqyerja dhe torturat për shumicën e të internuarve.

Një ndër kampet më famëkeqe të regjimit komunist në Shqipëri ishte ai i Tepelenës, madje ishte një “ferr” i vërtetë ku vuajtën me mijëra vetë, gra, burra dhe fëmijë dhe figura të ndritura të kohës, si kardinali Mikel Koliqi, doktor Ali Erebara, doktor Mykerem Janina, profesor Ali Cungu, profesor Guljem Deda, shkrimtari Mithat Araniti, akademik Pader Lazi, ish- ministri i Arsimit, Zef Shiroka (vëllai i doktor Shirokës) dhe të tjerë intelektuale që çdo ditë përpëliteshin mes jetës dhe vdekjes.

Kampi i internimit në Tepelenë, u vendos buzë lumit Vjosa në të hyrë të Tepelenës, në anën perëndimore, rrëzë kodrës së stërmadhe që u zinte diellin kazermave të kampit, ku pak me tutje ndodhej burgu i Bënçës dhe shtatë kilometra më tej një tjetër kamp famëkeq internimi, ai i Turanit.

Në kampin e Tepelenës kishte të internuar nga e gjithë Shqipëria, por kryesisht mbizotëronin të internuar nga veriu dhe Shqipëria e mesme. Të ardhurit ishin familje me gra dhe fëmijë dhe të përqendruar në grupe në një kazermë ku numri i të internuarve arrinte deri në 300-600 persona. Kazermat ishin vendosur njëra pas tjetrës duke e çuar numri deri në 2300 të internuar gjithsej në të gjithë kampin.

Aktualisht, në kampin e Tepelenës kanë mbetur kapanonet, dhomat e torturës, porta e hekurit që ruhej nga policë në kohë të komunizmit dhe si dëshmi dhjetëra varre që kanë humbur, kryesisht varre fëmijësh dhe numri arrin deri më 115 varre, por nuk ka një shifër të saktë, sepse numri i të vdekurve është disa fish me i madhe dhe i dyshimtë, pasi flitet për dy varreza që kanë më shumë se 600 varre.

Rojtari i vuajtjeve

Neim Pasha i dënuar nga regjimi komunist me 21 vite burg, ku 15 vite i kaloi në burgun famëkeq të Spaçit, tregon se, “kur u lirova nga burgu na sollën në Tepelenë, qëndrova në një barakë derisa u strehova në këtë pallat në hyrje të kampit të Tepelenës”.

I ardhur nga burgu dhe vendosur në hyrje të kampit famëkeq të Tepelenës, ai qëndron si një “rojtar” i vuajtjes.

Neimi thotë se kampi i Tepelenës ka qenë mizor, dhe u mbipopullua me njerëz që vinin kryesisht nga veriu, kundërshtarë të regjimit komunist.

Në atë kohë nuk kishte ende një ligj për të internuarit, por u morën me fise e gjini, duke i dëbuar dhe futur në kampet e internimit.

Kampi ruhej me policë, kishte dhoma torture dhe të internuarit përveç kequshqyerjes detyroheshin të punonin, duke mbledhur dru.

Makabriteti ka qenë moto, përçmimi i jetës, damkosja e çdo lirie.

Njerëzit tregojnë, vuajtja ishte motivi i xhelatit..!

Një banor i zonës përreth, që nuk ka dëshirë të ekspozojë emrin tregon se, “unë kam qenë ushtar pikërisht atë vite kur u mbyll kampi, por ato që më dëgjonin veshët në atë kohë nuk mi bënë goja t’i tregojë”.

“Gra dhe vajza të mitura torturoheshin, liheshin me ditë pa ngrënë, detyroheshin të punonin me punë të detyruar. Torturat ishin çnjerëzore, zhvisheshin dhe rriheshin barbarisht dhe shpeshherë ato edhe… (s’ma bënë goja ta them)”.

Një banor tregon se: “Në vitin 1949, pash një djalë që s’ishte më shumë se 8 vjeç, që sapo piu ujë te çezma, vdiq në vend, se etja e kishte torturuar për një kohë të gjatë”.

Tepelena regjistron 140 të pushkatuar, tortura nuk kurseu askënd.

Sipas statistikave të arkivit të Ministrisë së Brendshme, prej vitit 1945, që ishte dhe viti i parë i internimit, në këtë kamp vdiqën 260 njerëz, kryesisht fëmijë dhe pleq.

Kazermat e kampit ishin të përmasave të stërmëdha, tamam një hangar kuajsh (trashëguar nga italianët) por që ndiqnin njëra-tjetrën në disa qindra metra, pasi më parë kishin qenë depo të ushtrisë italiane dhe ato mund të mbanin mbi 300-600 veta, mbasi kishte shumë familje me fëmijë të vegjël që zinin pak vend.

Në kampin e Tepelenës sipas udhëzimeve, do të grumbulloheshin të gjitha ato familje që etiketoheshin nga pushteti komunist si reaksionare, kulakë, borgjezë, tradhtarë të deklasuar, agjentë të huaj etj.

Në kampet e tjera si, në Berat, Kuçovë, Tepelenë, Turan, Porto-Palermo dhe më pas në Lushnjë, Shtyllas, Savër, Gradishtë, Grabjan, Çermë, Pluk, nga viti 1945 deri në vitin 1990 u internuan familje të mëdha nga Veriu i Shqipërisë .

Ndërsa në kampet e internimit në Valias, Krujë, Lozhan, Maliq, Zvërnec, nga viti 1945 deri në vitin 1954, të internuarit ishin kryesisht nga Jugu i Shqipërisë.

Shumë ishin të reja e të rinj të rritur në kushte kampi, që ishin internuar që më 1945-ën, në moshën rreth 12-14 vjeç, e tani ishin 17-18 vjeç. Më pak ishin burrat, sepse shumica e tyre mbushnin burgjet.

Nga qytete kryesore dhe nga zonat kufitare u dëbuan 11.536 familje. Kampi famëkeq i Tepelenës qëndroi gjashtë vjet dhe u mbyll më 1954, kur të internuarit u grumbulluan të gjithë në fushën e Myzeqesë të Lushnjes, të shpërndarë në disa sektorë-kampe të fermës ‘29 Nëntori’.

Historia e kampeve me tela me gjemba në Shqipëri i takon marsit të vitit 1945. Kruja dhe Berati ishin vendet e para ku u përqendruan të internuarit. Ata që ishin nga jugu dërgoheshin në veri dhe e kundërta.

Mënyrat e torturimit që regjimi komunist përdorte ndaj kundërshtarëve politik ishin një model i qartë i vendeve diktatoriale e kryesisht të regjimit të Stalinit në Rusi, që në përgjithësi nuk kishin një rend se ku duhet të përdoreshin, pa përjashtuar mundësinë se të gjithë ata që u janë nënshtruar torturave në kampet e internimit kanë provuar këtë paketë torturash që është përdorur në hetuesi dhe burgjet e regjimit komunist.

Kampet e internimit ishin shtrirë në të gjithë vendin dhe si motiv kishin vuajtjen, punën e detyruar, por pak kanë mbetur nga ndërtesat apo shenjat e kampeve të internimit për të qenë si një dëshmi e regjimit diktatorial.

Në kampet e tjera si, në Berat, Kuçovë, Tepelenë, Turan, Porto-Palermo dhe më pas në Lushnjë, Shtyllas, Savër, Gradishtë, Grabjan, Çermë, Pluk, nga viti 1945 deri në vitin 1990 u internuan familje të mëdha nga Veriu i Shqipërisë në Tepelenë, nga 1950-ta filluan të sillnin ata burra që kishin kryer dënimin fillestar 5-vjeçar. Po sipas statistikave të Ministrisë së Brendshme, nga viti 1945-1990, janë internuar gjithsej 48.217 burra dhe 10.792 gra. Nga qytete kryesore dhe nga zonat kufitare u dëbuan 11.536 familje. Kampi famëkeq i Tepelenës qëndroi gjashtë vjet dhe u mbyll më 1954.

Një pjesë punonim në bahçen e komandës, pjesa tjetër priste e transportonte dru në kurriz nga mali i Turanit 7 km larg ku ishte dhe kampi tjetër i internimit edhe më mizorë .

 

Kampi i internimit të Turanit

Kampi i internimit të Turani ka qenë më i masivizuar, madje banorët thonë se ka qenë edhe më mizori në Shqipëri, por pak është folur për të.

Pëllum Dalani, një banor i zonës, tregon për kampin e Turanit, madje ai thotë se nëna e tij para se të vdiste i kishte treguar se sa vuanin gratë dhe fëmijët, sa fëmijë kanë vdekur e janë varrosur në anën e shpatit të kodrinës dhe më tej shton, “Kam qenë dëshmitar ku në vitin 1991 erdhi një zonjë të kërkonte varrin e vajzës së saj të vogël që i kishte vdekur në kampin e Turanit. E kish varrosur vetëm dhe me ndihmë të banorëve arriti të merrte eshtrat e foshnjës. Me kuje dhe me lot erdhi dhe me zëmër të shkulur nga vendi iku, sepse dhimbja gulçonte aq shumë sa zemra e plasur e nënës nuk kishte shërim”.

Ndërsa gratë mblidhnin pleh organik nëpër shpatet e maleve të Tepelenës e i transportonin në kurriz me litar, disa punonin me bel, bënin qelizëm, të tjerë mbanin driza në kurriz për t’i çuar në kamp për kuzhinën, drizat i merrnin 5 km larg kampit.

Kampi kishte 2000 persona dhe racioni i ushqimit ishte 80 gr. oriz për person 50 gr. makarona, bollgur, grosh të gjitha me krimba, 9 gr. vaj, 5 gr. kripë e 400 gr. bukë.

Të gjithë ata që vdisnin nga kequshqyerja, vuajtja, tortura, apo ekzekutoheshin natën, tinzash dhe në fshehtësisë varroseshin në anë të lumit apo në pjesën e kodrinës sipër kampit. Gjatë dimrit ujërat e rrëmbyer i gërryen varret duke i zhdukur eshtrat, sot ato nuk janë më.

Këto kampe, siç e dëgjuat nga tregimi i një të mbijetuari, që sot është 85 vjeç kanë qenë kampet e shfarosjes të njeriut të ngritura nga çlirimtarët tanë që shumë prej tyre e pësuan dhe vetë.

Kurimi i së shkuarës

Memorial në kampin e Tepelenës, përkujtohen të ekzekutuarit nga komunizmi.

30 gushti, shënon Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve dhe Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka vendosur një memorial në kampin famëkeq të Tepelenës, ku humbën varret e qindra personave, sidomos fëmijë.

Po ashtu, Këshillit Bashkiak Tepelenës ka shpallur Memorialit të Punës së Detyruar në ish- kampin famëkeq te Tepelenës, si objekt prioritar investimesh.

Qeveria shqiptare vitet e fundit në programin e saj ka pasur kurimin e së shkuarës, kompensimin e të burgosurve politikë në aspektin social dhe në aspektin mora.

Në aspektin social në katër vite qeverisje të burgosurit politik kanë marrë tetë këste, dy prej tyre dhënë për 23 vite nga rënia e diktaturës dhe 6 këste nga qeveria Rama. Me mbarimin e dhënies së këstit të 8-të për të gjithë të burgosurit skema e dëmshpërblimit ndryshon pas 70% e fondit të akorduar nga buxheti i shtetit kalon për trashëgimtarët, ndërsa 30% e fondit për ata të burgosur politikë që kanë bërë shumë vite burg.

Gjatë këtyre viteve janë ndërtuar dy muze në Tiranë, Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2, u miratua ligji për hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit si dhe janë vendosur memorial kujtese në shumë vende të vuajtjes së dënimi apo në kapet e internimit, si në Lushnje, Shkodër, dhe në Kampin e Tepelenës.

Po ashtu janë shpallur zona muzeale duke përfshirë këtu dhe burgun e Spaçit. Kurimi me të shkuarën vazhdon, pasi dhimbja e një kombi në diktaturë është aq e madhe dhe shpesh herë e pa shpjegueshme dhe do duhet ende kohë për transparencën me të shkuarën, për të hedhur dritë mbi errësirën e një regjimi si mundësi që regjime të ngjashme të mos kthehen më.

Tabela përmbledhëse sipas emërtimi ushtarak të kampeve të punës së detyruar; Ministria e Punëve të Brendshme me një vendim të posaçëm nr. 1620 të vitit 1955, kampet u quajtën reparte morën emërtime: Kampi nr.1-Reparti nr. 301; Kampi nr. 2-Reparti nr. 303; Kampi nr. 3-Reparti nr. 305; Kampi nr. 4- Reparti nr. 307; Kampi nr. 5-Reparti nr. 309. Po ashtu në Shqipëria kishte edhe 1272 të internuar politikë. Burgu Shkodër-Reparti nr. 315; Burgu Vlorë-Reparti nr. 319; Burgu Korçë-Reparti nr. 317; Burgu Tiranë-Reparti nr. 313; dhe Burgu Burrel. Reparti nr. 321.6 Ndërkaq, sipas gjendjes nëntor-dhjetor të vitit 1962 në Shqipëri ishin këto burgje dhe reparte: Reparti 301 Bulqizë, Reparti 307 Tiranë, Reparti 321 Burrel, Reparti 309 Tiranë, Reparti 303 Tiranë, Reparti 315 Shkodër, Reparti 318 Korçë, Reparti 319 Vlorë, Reparti 305 Tiranë, Reparti 313 Tiranë, Reparti i Artizanatit dhe Kampi Durrës. Kurse numri i tërësishëm i të burgosurve ishte 4662 persona, prej të cilëve 1809 ishin të burgosur politikë dhe 2853 ordinerë

Kampet me punë të detyruar të bonifikimeve: Kampet e Maliqit, Kampi i Llakatundit, Kampi i Levanit, Kampi i Varibobës, Kampi I Rradostinës, Kampi i Vlashkut, Kampi i Tërbufit, Kampi i Gosës, Kampi i Lekajt, Kampi i Bedenit, Kampi i Jubës, Kampi i Thumanës, Kampi i Gjadrit ose i Zadrimes, Kampi i Skrofotinës.

Kampet me punë të detyruar në bujqësi dhe për hapjen e tarracave: Kampi i Torovicës, Kampi i Zejmenit, Kampi i Valiasit, Kampi i Belshit, Kampi i Borshit, Kampi i Shënvasisë ose i “Përparimit”.

Kampet me punë të detyruar të ndërtimit: Kampi i stadiumit “Qemal Stafa”, Kampi nr. 4 i Tiranës, Kampi i stadiumit “Dinamo”, Kampi i Sanatoriumit, Kampi i bllokut “Puna”, Kampi I kompleksit sportiv “Dinamo”, Kampi i urës së Bonës, Kampi i Bishqemit; 5. Kampet me punë të detyruar për ndërtimin e veprave industriale: Kampi i Kombinatit Ushqimor Tiranë, Kampi i Kombinatit të mishit dhe të qumështit Tiranë, Kampi i Rubikut, Kampi i Laçit, Kampi i Fushë Krujës.

Llojet e burgjeve dhe kampeve të punës: Kampi i fabrikës së çimentos Elbasan, kampi i Rrepsit në Mirditë, kampi i Ballshit.

Kampet me punë të detyruar për ndërtimin e aeroporteve: Kampi i urës Vajgurore, Kampi i Rinasit. Kampet me punë të detyruar në miniera: Kampi i Bulqizës, Kampi i Spaçit, Kampi i Qafëbarit. Burgjet dhe kampet me punë të detyruar të grave të dënuara për motive politike: Aneksi i grave në Burgun e vjetër të Tiranës, Kampi i grave në Valias, Burgu i Artizanatit për gratë, Kampi i Kuçovës, Kampi i Kosovës së Lushnjes, Kampi i Sharrës.

Në 50 vjet diktaturë komuniste, shqiptarët kanë kryer 914 000 vite burgu dhe 256 146 vite internim

Pasqyra përmbledhëse: 1945: Përfundimi i stadiumit “Qemal Stafa” në Tiranë,1945:Krijimi i fermës së Kamzës,1945-52: Tharja e kënetës së Maliqit, 1946:Hapja e kanalit të Jubës në Qarkun e Durrësit, 1946-52: Ndërtimi i aerodromit ushtarak të Kuçovës (me ndihmën e rusëve), 1949-51:Ngritja e fermës së Gosës, në rrethin e Kavajës, 1950: Ndërtimi i trasesë së hekurudhës Peqin-Elbasan, 1950-52: Hapja e kanalit të Bedenit në rrethin e Kavajës, 1950: Rruga automobilistike Gramsh-Lozhan, 1950-53: Nxjerrja e mineralit të kromit në minierën e Bulqizës, 1952-55: Kanali Peqin-Kavajë, 50 km i gjatë, 1952-54: Kanali i Valshukut në Fushën e Myzeqesë, 1963-67: Ndërtimi i pallateve “Agimi”, në Tiranë, 1955-56: Tharja e kënetës së Tërbufit, 1955-57: Aeroporti i Rinasit, 1955-56: Bonifikimi i fushës së Zadrimës dhe sistemimi i lumit Gjadër, 1956-59: Fillimi i punimeve në kombinatin “Tekstil” të Tiranës, 1959-61: Ndërtimi i Kombinatit Ushqimor, Tiranë, 1960: Ndërtimi i stadiumit “Dinamo”, 1960-63: Kombinati i Mishit dhe i Qumështit, Tiranë, 1960-63: Bonifikimi i fushës së Thumanës, 1960-63: Ndërtimi i 500 apartamenteve të bllokut “Puna”, Tiranë, 1960-63: Ndërtimi i sanatoriumit të Shtetit, Tiranë, 1963-65: Ndërtimi i Kombinatit të Auto-Traktorëve, Tiranë, 1963-65: Ndërtimi i Uzinës së Shkrirjes së Bakrit, Rrubik,1963-67: Uzina e Superfosfatit dhe e Acidit Sulfurik, në Laç të Kurbinit,1965-66: Fabrika e Çimentos në Fushë-Krujë,1966-68: Fabrika e Çimentos në Elbasan,1967-90: Hapja dhe shfrytëzimi i minierës së bakrit dhe piritit, Spaç,1967-70: Ndërtimi i Uzinës së Pasurimit të Bakrit në Reps të Mirditës,1967-91: Hapje tokash të reja dhe kanalizime në Fushën e Torovicës,1967-90: Punë bujqësore dhe kanalizime në Zejmen të Lezhës,1966-91: Ndërtimi i një pjese të taracave në bregdetin e Sarandës,1967- 71: Ndërtimi i Kripores në Skrovotinë të Vlorës,1971-84: Ndërtimi i uzinës së përpunimit të thellë të naftës në Ballsh,1977-87: Ndërtimi i Kompleksit Sportiv “Dinamo” në Tiranë,1982-90: Shfrytëzimi i minierës së bakrit e piritit, në Qafë-Bari të Pukës.