Fitim Haziri, Saranda Bogujevci e Vendenis Lahu, janë tre kandidatët nga Podujeva që do të garojnë në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për deputetë, njofton Insajderi.
Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Llap e cila ka arritur ta fitojë komunën në zgjedhjet e 29 nëntorit ka mbajtur mbledhjen ku u përzgjodhën kandidatët.
Kumtesa e plotë:
Këshilli i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë, sot e ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme për të zgjedhur kandidatët për deputetë nga Qendra e Besianës, në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen me 14 shkurt. Anëtarët e Këshillit të Qendrës në një proces tranparent e demokratik, kanë votuar për të zgjedhur kandidatët për deputetë dhe tre kandidatët më të votuarit nga ky proces janë: Fitim Haziri, Saranda Bogujevci dhe Vendenis Lahu.
Këshilli i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë, me shumicë votash zgjodhi edhe Kryesusin e Grupit të Asambleistëve në Besianë, z.Florent Hasani. /Insajderi.com