Kandidatët akuzojnë partitë e tyre për vjedhje të votave

Kandidatët akuzojnë partitë e tyre për vjedhje të votave

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqyrtuar një varg ankesash të kandidatëve për asamble lidhur me procesin zgjedhor të 22 tetorit. Shumë nga këto ankesa drejtohen ndaj vetë partive të tyre, raporton Insajderi.

PZAP ka hedhur poshtë ankesën e kandidates Antoneta Hulaj (LDK) në Deçan, e cila ka parashtruar ankesë nda subjektit politik LDK, për shkak të parregullsive në vendvotim. Ajo ka kërkuar të bëhet verifikimi dhe kontrollimi në qendrat e votimit në Deçan, në Carrabreg, në Drenoc, Strellc i Ulët e Isniq. Paneli e ka refuzuar ankesën e Hulajt për arsyen e thjeshtë sepse ankesa nuk ka qenë e nënshkruar.

PZAP ka pranuar më 25 tetor një ankesë nga Getoar Bislimi (PDK) në Prizren i cili pretendon se më 22 tetor në tri vendvotime janë tjetërsuar votat, kjo për arsye se pas numërimit të votave dhe ngjitjes në FPR në dyert e klasave mungojnë votat e familjarëve dhe miqve të cilët totalisht janë tjetërsuar në FPR. Paneli ka konstatuar se ankesa ka qenë e parakohshme, pasi ajo duhet të bëhet pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja.

PZAP po ashtu ka hedhur poshtë ankesën e Miranda Lushaj (PDK) në Gjakovë kundër Këshillit të Vendvotimit për shkak të parregullsive në vendvotim. Lushaj pretendon se në qendrat e votimit në shkollën “Hajdar Dushi”, në shkollën “Mustafa Bakija”, në shkollën “Yll Morina:, në shkollën “Zekeria Rexha”, në fshatin Kralan, Bishtazhin, Demja, Bec, Sheremetaj, Piskotë dhe Zhabel i mungojnë votat ku edhe familjarët e kanë votuar. Arsye e refuzimit të ankesës është se ajo nuk është nënshkruar nga parashtruesja e ankesës.

PZAP ka refuzuar edhe ankesën e Bekim Ibishit në Skenderaj kundër komisionerëve, për shkak të mungesës së votave. Edhe në këtë rast, Paneli ka konstatuar se ankesa duhet ë bëhet pas shpalljes së rezultateve përfundimtare.

PZAP ka hedhur poshtë edhe ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje në Drenas, e cila ankohet për mungesë të votave. LVV pretendon se me 24 tetor, rreth orës 16 në formularët e rezultateve të kandidatëve për anëtarë të Kuvendit Komunal të Drenasit janë vërejtur disa ndërhyrje-keqpërdorime dhe korrektim gjatë shënimit të numrit të votave dhe si pasojë e kësaj mendojnë se gjatë numërimit të votave është bërë keqpërdorim ku kandidatëve të LVV-së i është shkruar numër më i vogël i votave se që kanë pasur. PZAP konstaton se kjo ankesë nuk mund të trajtohet në këtë fazë.