Kandidatët e AAK-së për kryetarë komunash nënshkruajnë zotimin para kryeministrit

Kandidatët e AAK-së për kryetarë komunash nënshkruajnë zotimin para kryeministrit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), organizoi një konventë për komunat e Kosovës me kandidatët për kryetarë komunash nga radhët e këtij subjekti politik për zgjedhjet lokale të 22 tetorit të këtij viti.

Të gjithë kandidatët për kryetarë komunash, në prani të kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, njëherësh kryeministër i Kosovës, u zotuan se do të përfaqësojnë me nder dhe dinjitet qytetarë vlerat që ka ky subjekt politik dhe synimet për një Kosovë të zhvilluar.

“… nëpërmes kësaj deklarate zotohem se do të përfaqësoj me nder dhe dinjitet qytetarë dhe do të angazhohem të paraqes para qytetarëve vizion të qartë duke u bazuar në vlerat që përfaqëson Aleanca dhe në parimet themelore të demokracisë. Këtë zotim e jap duke u thirrur në respektimin të përpiktë dhe pakusht të ligjshmërisë, interesit të përgjithshëm qytetarë dhe në shërbim të vendit”, thuhet ndër tjera në deklaratën e zotimit të kandidatëve.

Në këtë frymë kandidatët janë zotuar se do të bëjnë një garë të pastër dhe demokratike; do të përfaqësojnë drejt dhe barabartë të gjithë qytetarët; do të qeverisin në përputhje të plotë dhe në përpikëri me ligjet e vendit; do të qeverisin mbi parimet e qeverisjes së mirë; do të angazhohen për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik; do të angazhohen që qytetari dhe mirëqenia e tij të jenë në rend të parë.

Gjithashtu, në këtë Konventë fjalën e more edhe kryeministri i vendit, njëherësh kryetar i kësaj partie, i cili kërkoi shumë punë nga kandidatët e saj./Insajderi.com