
“Orteku në arsimin e lartë” është titulluar punimi i KIPRED-it, i cili ka dalë me gjetje dhe rekomandime se si të përmirësohet gjendja e studimeve të doktoratës në Universitetin e Prishtinës.
Mentor Agani, hulumtues i lartë në këtë institut, në emisionin Rubikon të KTV-së, ka thënë se sipas rekomandimeve të tyre, numri i doktoratave do të zvogëlohej, por cilësia do të rritej.
Agani tregoi se hulumtimet janë bërë në katër fakultete, atë të Edukimit, Ekonomik, Juridik, dhe Filozofik.
Në fakultetin Ekonomik dhe Juridik, të cilët nuk kanë program me tempusin, sipas Aganit, është vërejtur se kandidatët për doktoraturë kanë pasur probleme dhe nuk kanë ditur si t’i botojnë në revistat e jashtme shkencore të indeksuara.
“E kemi vërejtur se studentët janë shumë të shqetësuar se si do të botojnë punime në botimet e jashtme”, shpjegoi ai duke thënë se kjo vjen si pasojë e mentorimit.
KIPRED rekomandon që mentorimi të bëhet nga profesorë të cilët plotësojnë kriterin për botime të jashtme.
Një ndër rekomandimet e tyre është edhe që kandidatët për këtë nivel studimi të jenë të certifikuar për gjuhën angleze nga Toefl, që është test i organizuar nga institucione kredibile në përmasa globale.
Madje ai tha se kriteri i gjuhës angleze nuk duhet të jetë kriter i pranimit por eliminimit.