Kandidati i vetëshpallur i LDK-së për kryeministër bën koalicion me Xhavit Halitin në Pejë

Kandidati i vetëshpallur i LDK-së për kryeministër bën koalicion me Xhavit Halitin në Pejë

Gazmend Muhaxheri nuk hezitoi që me të shkelur këmba e Isa Mustafës në Kosovë pas një trajtimi të gjatë për shërim në Gjermani, të shprehë ambiciet dhe të vetëshpallet si kandidat i LDK-së për kryeministër. Ai tha se kandidat më të përshtatshëm se ai për këtë pozitë nuk ka. Megjithatë, ai, si punë të parë ka vendosur ta bëjë koalicionin me PDK-në në Pejë, të cilën e udhëheq Xhavit Haliti, tashmë i dyshuar për marrjen e 8 milionë markave gjatë kohës së luftës, në emër të UÇK-së dhe nevojave të tyre

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, thotë se nuk e di as nuk ka dëgjuar asnjë informatë që përfshin deputetin e PDK-së, Xhavit Halitin, në skandalin e fundit ku bashkëpartiaku i tij, Anton Quni, e akuzoi se i kishte përfituar rreth 8 milionë marka nga koloneli Ahmet Krasniqi.

Quni deklaroi ditë më parë në Pressing të T7 se nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, gjatë verës së vitit 1998, kishte marrë 8 milionë marka nga Qeveria e Bujar Bukoshit, saktësisht nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi.

Por Muhaxheri, që ditë më parë me krenari i dha vetes të drejtë se e meriton që LDK-ja ta kandidojë për kryeministër, të mërkurën mbrëma arriti koalicion me PDK-në për bashkëqeverisje, në Komunën e Pejës, ku kryetar i Degës së PDK-së në Pejë, është Xhavit Haliti.

Muhaxheri tha për Express se bashkë me PDK-në kanë qeverisur për katër vjet në qeverisje lokale dhe do të vazhdojnë edhe për katër vjet të tjera, derisa shtoi se nuk di asgjë për milionat që implikojnë si protagonist kryesor Xhavit Halitin.

“Jo s’e di, s’kam asnjë koment hiç për këtë. Ajo është punë e dikujt tjetër. Ne kemi bo koalicion lokal me degën e PDK-së atje. Ne kemi qeverisë katër vjet, vazhdojmë edhe katër vjet tjera”, tha shkurtimisht ai.

Sipas marrëveshjes PDK-ja do të udhëheqë me katër Drejtori në Pejë. Drejtorinë për Urbanizëm, të Inspeksionit, për Punë Komunale/Shërbime Publike dhe Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Sidoqoftë, Muhaxherit i reaguan shumë zyrtarë të larë të LDK-së për vetëshpalljen e tij si kandidat që e meriton postin e kryeministrit nga partia e Isa Mustafës.

Që nga Agim Veliu, Lutfi Haziri e të tjerë, ia shuan shpresat Muhaxherit duke ia bërë më dije se për këtë në fund vendosin organet e partisë. /GazetaExpress