Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Malishevës, Alban Krasniqi, ka thënë për Fatmir Limajn se “gjatë luftës njihej si frikacak”.
Këtë aludim, Krasniqi thotë se e referon tek lufta, pasi sipas tij, aty – Limaj “shpërfaqi frikën”.
“Fatmir Limaj prej malishevasve njihet si njeri mashtrues, dredharak por edhe frikacak. Pse frikacak? Sepse frikën e tij e ka shpërfaqë edhe gjatë luftës dhe e dinë qytetarët”, ka thënë ai në T7, të hënën.
“Nuk u bë burrë e të dalë para qytetarëve dhe ta kërkojë mbështetjen e tyre nëse ai po mendon se qytetarët e mbështesin”, potencoi Krasniqi.
Nisma në Malishevë
Komuna e Malishevës drejtohet nga Ragip Begaj i Nismës Socialdemokrate.
Ky subjekt politik qeverisë në Malishevë që nga zgjedhjet e vitit 2013, të cilat i fituan përmes “Iniciativës Qytetare për Malishevë”, të transformuar pastaj në Nisma Socialdemokrate më 2014.
Kjo është komuna e vetme në të cilën partia e Fatmir Limajt qeverisë.
Ky subjekt politik ka qenë dy herë në qeveri. Gjatë viteve 2017-2020, ku ekzekutivin e drejtonte Ramush Haradinaj.
Po ashtu, Nisma iu bashkua bashkëpunimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, pas shkarkimit të Qeverisë “Kurti 1”.
Me sloganin “Me çlirimtarët”, Nisma i hyri garës për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, por nuk arritën ta kalonin pragun zgjedhor.
Nga ajo kohë Nisma është parti joparlamentare, por synon ta qeverisë Malishevën për edhe një mandat.
Aktakuta për kryetarin e komunës, Ragip Begaj:
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 25 shtator ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.
Ai akuzohet se ka shfrytëzuar autoritetin zyrtar dhe i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës me rastin e ndërtimit të një shkolle në fshatin Drenoc.
Ndaj këtij vendimi, avokati Kastrati ka njoftuar se ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike.
Lëvizja Vetëvendosje në Malishevë.
Partia e drejtuar nga Albin Kurti më 2010, ka garuar dy herë në zgjedhjet lokale në Malishevë.
Në asnjërën palë zgjedhjes nuk ka arritur që të jetë pjesë e balotazhit.
Por, në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, doli subjekti i parë politik me një diferencë treshifrore në raport me Nisman e Fatmir Limajt.
Ministrja e Drejtësisë në mbështetje të bashkëshortit.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka qenë në Malishevë – për t’i dhënë mbështetje burrit të saj, Alban Krasniqit i cili garon për kryetar të kësaj komune.
“Nga sheshi i dëshmorëve në Malishevë! #144 Lëvizja VETËVENDOSJE!”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Gara për Malishevën
Pos Alban Krasniqit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Ekrem Kastratit prej Nisma Socialdemokrate në garë janë edhe tre kandidatë të tjerë nga subjektet politike.
Isni Kilaj, ish-kryetar i Komuëns së Malishevës nga Partia Demokratike e Kosovës, Bajrush Morina i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Kastriot Berisha nga Aleanca për Ardhëmrinë e Kosovës. /Insajderi.com