Kandidati për kryeministër premton lehtësira për bizneset

Kandidati për kryeministër premton lehtësira për bizneset

Kandidati për kryeministër i koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një vizitë në fabrikën “Euro-Metal”, në fshatin Babush të Ferizajt.

Ai gjatë kësaj vizite ka premtuar se me ardhjen e tij në krye të qeverisë, do të ketë lehtësira të mëdha për bizneset në vend.

“Ne kemi filluar me reformën e parë fiskale e cila ka gjeneruar 2 milionë euro qarkullim në buxhetin  e Kosovës. Por ky është vetëm fillimi. Ne do të fillojmë me zbatimin e reformave të tjera fiskale duke pasur lirime për të gjitha lëndët e para që përdoren për biznese”, ka thënë Hoti.

Ai shtoi se do të punojë për funksionalizimin e zonave ekonomike në të gjitha qendrat e Kosovës.

Kurse, kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarça, i cili po ashtu është nga LDK-ja, ka thënë se ndihet i nderuar që, siç u shpreh, kryeministri i ardhshëm i Kosovës ka zgjedhur për ta vizituar Ferizajn.

“Jam shumë i lumtur që ka zgjedhur Komunën e Ferizajt për ta vizituar, një komunë e cila ka lulëzim biznesesh, kemi 11 mijë e 400 biznese të cilat po mbushin arkën e qytetit dhe jo rastësisht besoj që kryeministri i ardhshëm Abvdullah Hoti gjendet mes nesh”, ka thënë ndër tjerash Svarça.