Ish-drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe aktivistja për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, ka kritikuar krerët institucional të Serbisë për heshtjen pas rikonfirmimit të dënimit të përjetshëm për kriminelin serb, Ratko Mladiq, njofton Insajderi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeparlamentari Ivica Daçiq dhe ministrat në Qeverinë e Serbisë nuk kanë reaguar ende për dënimin që dha sot Tribunali i Hagës.
Pas këtij vendimi është deklaruar vetëm kryeministrja Ana Bërnabiq, e cila tha se Serbia është e përkushtuar për të hetuar të gjitha krimet e luftës, si dhe për kapjen e të akuzuarve dhe ndëshikim e atyre që janë përgjegjës për krimet.
“Ratko Mladiq u dënua, kreu politik në Serbi po hesht, pasi Gjykata nuk e lidhi Serbinë me UZP-në (ndërmarrje e përbashkët kriminale). Por kjo është fitore e Pirros. Nuk do të kishte as Srebrenicë e as Tomashicë nëse Serbia nuk do të përkrahte financiarisht, ushtarakisht, moralisht e ideologjikisht ushtrinë, gjeneralët e të cilës janë dënuar për gjenocid”, ka shkruar Kandiq në Tëitter.
Mladiq u dënua me burgim të përjetshëm, ndër të tjera edhe për gjenocidin ë Srebrenicë më 1995, kur u vranë mbi 8000 burra të paarmatosur myslimanë.
Lideri i forcave serbe në Bosnjë, u shpall fajtor edhe në shkallën e dytë dhe u dënua për 10 nga 11 pikat e aktakuzës, njëjtë si në shkallën e parë. /Insajderi.com