librit të tij autobiografik dhe se libr" />

Kanuni i Shkëlqesisë së Tij është Kushtetuta jonë e turpit

E mërkura u bë krejt rastësisht, Dita e Presidentit. Brenda një dite shprehu gatishmërinë të përballet me Gjykatën Speciale, bindi vëllanë e një viktime që të pushojë së akuzuari se Hashim Thaçi e din kush ia vrau vëllanë dhe brenda po kësaj dite, viktimën e shpalli hero. Krejt kjo falë “aftësisë” së presidentit që “u la” përmes një procedure kanunore që është krejtësisht në kundërshtim me “kanunin” mbi të cilin u betua si president. 

Kanuni i Shkëlqesisë së Tij është Kushtetuta jonë e turpit

Presidenti e mbylli natën e mërkurë duke na treguar se është në finalizim të librit të tij autobiografik dhe se libri i fundit që ka lexuar është ai Gabriel Marques, “Të jetosh për të treguar”.

Asnjëri nga këto informacione nuk është i rëndësishëm krahasuar me gjithë ato që kanë ndodhur gjatë ditës por lidhen në mënyrë figurative me agjendën e tij e cila meriton të tregohet dhe të jetohet si diçka prej së cilës duhet të turpërohemi.

Pyetjet janë të thjeshta: si ka mundësi që presidenti, i cili deri para tre muajsh akuzohej se ka njohuri për autorin e një vrasje, ta bind akuzuesin që në mënyrë të hapur të heqë dorë nga akuzat, me një procedurë tejet të prapambetur sikurse “besa”?

Cili është shteti, presidenti i të cilit, vendos ta bëjë hero, një viktimë të vrasjes së pasluftës, aktivistin e një partie (LDK-ja) armike e Thaçit atë kohë, brenda një dite?

Cila është shoqëria e cila e lejon që akuzat ndaj presidentit për lidhje me vrasjet e pasluftës vendos t’i harrojë duke mos u mbështetur në faktet e gjykatës por duke u “larë para 124 pleqve”, një zakon i prapambetur i Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Për ta zbërthyer këtë absurditet që realizohet brenda 24 orëve me qëllim konsumi të shpejt dhe lënie në harresë, duhet të kthehemi vetëm tre muaj prapa.

Kur e sheh për herë të parë Imer Imerin, teksa akuzon presidentin se e di sigurt se kush ia ka vrarë vëllanë Haki Imerin, të shkojnë ndërmend dy gjëra: ose ai është një i çmendur ose e di një të vërtetë të madhe.

Jo më larg se në nëntor të vitit të kaluar, duke folur për emisionin “Zona Express” mbi vrasjet e mistershme të anëtarëve të LDK-së menjëherë pas përfundimit të luftës, Imer Imeri rrëfen me emocione sesi Thaçi as që kishte shkuar në varrim e as në të pame kur Haki Imeri ishte vrarë, teksa po kthehej nga shkolla në një fshat në komunë të Skenderajt, ku punonte si mësues.

Imer Imeri rrëfen madje se Haki Imeri ka qenë kujdestar i klasës së Hashim Thaçit në shkollë fillore, dhe përmend si arsye për inat mbetje, faktin që Thaçi e as familja e tij nuk kanë shkuar bile për kryeshnosh.

Mas vrasjeve në Kosovë qëndron pikërisht Hashim Thaçi”, shpërthen Imeri në këtë intervistë.

Tre muaj pas, i njëjti person është tërhequr nga kjo akuzë, pasi presidenti ia ka dhënë besën duke i bërë be me 124 pleq se nuk ka lidhje me këtë vrasje.

Ai më ka thanë që muj me bo be 124 pleq me kanun, që s’kom hak e as hile”, ka thënë Imeri.

Në po të njëjtën ditë, presidenti i cili as një telegram ngushëllimi se ka dërguar për vdekjen e Haki Imerit, e shpallë atë hero duke ia organizuar një ceremoni zyrtare në fshatin e tij.

Shkëlqesia e Tij e bënë krejt këtë spektakël të marrëzisë brenda një dite. Dhe krejt kjo në sytë e të gjithë neve. Pa fije turpi.

Një president që nuk shkon as në varrim të mësuesit të tij e pas afro dy dekadave e shpallë hero dhe në të njëjtën kohë ia mbyllë gojën e akuzuesit përmes “besës”, është fyerje për një shoqëri e cila pretendon se “besa” e vetme është gjykata.

Pleqtë që ndajnë drejtësi janë gjykatësit, jo pleqtë e odave që funksionojnë me Kanun.

Në cilindo version të së vërtetës për vrasjen e Haki Imerit ose njohurisë së presidentit mbi autorin e kësaj vrasje, janë dy gjëra shumë të turpshme dhe të patolerueshme për një shoqëri që pretendon të jetojë bazuar mbi ligjin, e jo Kanunin.

Është marre për një shoqëri që të lejojë presidentin – i cili para disa muajsh kërkoi zyrtarisht nga Prokuroria e Shtetit të merret seriozisht me vrasjet e pasluftës ku hynë edhe vrasja e Haki Imerit  – që të ndërhyjë tek një person që mund të ketë qenë dëshmitarë në gjykatë?

Çfarë shteti, Shkëlqesia e Tij, pretendon të krijojë kur pranon të hyjë në biseda gati inkriminuese me një person i cili bindet vetëm përmes Kanunit?

A nuk duhej që si gardian i Kushtetutës mbi të cilën është betuar madje solemnisht midis sheshit, t’i thoshte Imer Imerit që të gjitha akuzat që ai i ka ndaj tij, t’i drejtojë në Prokurori dhe gjykata për pavarësinë e së cilës është përgjegjës ta zbardhë të vërtetën? Dhe vetëm gjykata, as besa e tij e as betë e tij.

Çka do të thotë presidenti “me ba be para 124 pleqve”? Evropianët e rinj, kanë nevojë për një shpjegim.

Si njohës i Kanunit, presidenti duhet ta dijë se e drejta zakonore e Kanunit të Lekë Dukagjinit thotë se duhet të bësh be para 24 pleqve të 24 fiseve të ndryshme.

Si ka arritur Shkëlqesia e Tij ta bind që është i pastër, një person që deri para tre muajsh çirrej se presidenti, qëndron prapa vrasjeve të pasluftës në Kosovë?

Duke ia dhënë besën? Duke u betuar në Kanun?

Më e tmerrshmja është se Kanuni si Kushtetutë e drejtuesve të këtij shteti nuk është vetëm ky rast.

Hiq më larg se në prill të vitit të kaluar, lideri që pretendon ta marrë drejtimin e vendit që tash gjendet i arrestuar në Francë, Ramush Haradinaj, u krenua se kishte arritur të pajtonte dy familje duke u thirrur në burrni dhe në Kanun.

Kjo  “kushtetutë e turpit” është e ngulitur në kokën e njerëzve të cilët thonë se qeverisin bazuar në Kushtetutë dhe ligje të një shteti të supozuar se është i drejtë.

Pra ky shtet nuk është i së drejtës ligjore por kanunore.

Sepse në këtë shtet, presidenti e fillon ditën duke thënë se “duhet t’i besojmë sistemit të drejtësisë i cili përpos zbulimit të autorëve do të duhej të merrej edhe me akuzat dhe dëshmitarët” dhe e mbaron ditën duke zbritur në odat dhe rregullat e një “sistemi të prapambetur” të drejtësisë siç është Kanuni i Lekë Dukagjinit.

Përderisa Shkëlqesia e Tij duket se do të vazhdojë të funksionojë në mes Kanunit të Kushtetutës së Kosovës dhe Kanunit të Lekë Dukagjinit, është djali i Haki Imerit, që refuzon t’i nënshtrohet drejtësisë së zakonore.

Ai u distancua nga axha i tij Imer Imeri, duke kërkuar drejtësi institucionale, madje ndërkombëtare, gjë që mund të jetë fare lehtë, Gjykata Speciale, së cilës, presidenti në fillim të ditës së mërkurë tha se është i gatshëm t’i përgjigjet.

Presidenti është larë duke u zotuar se do t’i bëj be me 124 pleq një akuzuesi se ka gisht në vrasjen e vëllait të tij, por nuk mund t’i bëjë be Gjykatës Speciale, e cila ka për objekt gjykimi krimet që kanë ndodhur në kohën kur ai drejtonte një Qeveri të përkohshme brenda se cilës funksiononte një shërbim sekret mbi të cilin bien dyshime se ka vrarë njerëz për interesa të PDK-së.

“Beja” nuk e lanë presidentin para Gjykatës.