Policia e Kosovës ka arritur të identifikojë 12 shtetas nga Afganistani, të cilët ishin fshehur në një kamion, saktësisht në rimorkio e që dyshohet se janë kontrabanduar, njofton Insajderi.
Ngjarja ka ndodhur të enjten rreth orës 04:00, në Han të Elezit.
“Në linjën hyrëse të Republikës së Kosovës në Terminalin Doganor, Han i Elezit, nga Maqedonia e Veriut ka ardhur Kamioni ngjyrë e bardhë me rimorkio me ngjyrë hiri të cilën e drejtonte shtetasi m/s/RKS, me inicialet (A. N.), viti i lindjes (1983) nga Graçanica”, thuhet në njoftimin për medie.
Tutje bëhet e ditur se aga ana e zyrtarëve policor mjeti është selektuar për kontroll me pajisje-kamera.
“Gjatë kontrollimit kamera ka dhënë sinjale se në rimorkio mund të ketë të fshehur gjallesa. Pas sinjalizimit nga pajisja, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës ka këputur bllombën, është hapur rimorkio ku edhe janë gjetur dymbëdhjetë (12) persona shtetas nga Afganistani.Të gjithë personat janë kontrolluar nga ekipi mjekësor”, thuhet tutje në njoftim.
Gjithashtu u theksua se në bashkëpunim me prokurorin kompetent janë duke u kryer hetime lidhur me dyshimet për kontrabandim me migrant, përderisa personat e identifikuar janë duke u trajtuar konform ligjit për të huaj në Republikën e Kosovës./Insajderi.com