Kapen me 50 kg drogë – Tre persona të arrestuar në Prishtinë

Kapen me 50 kg drogë – Tre persona të arrestuar në Prishtinë

Tre persona janë arrestuar sot në Prishtinë, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie të Policisë së Kosovës, operacioni është zhvilluar nën masa të veçanta të hetimit, duke vënë në pranga tret ë dyshuarit dhe duke konfiskuar mbi 50 kilogram drogë.

“Me datë 12.12.2020 rreth orës 18:50 në një parking të automjeteve në Prishtinë, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) e PK-së, pas një hetimi disa mujorë përmes aplikimit të  masave të veçanta të hetimit ka zhvilluar një operacion policor me ç`rast  ka ndaluar tre (3) persona të dyshuar nën dyshimin se kanë kryer vepër penale e sanksionuar me ligj, respektivisht në bazë të nenit 267 të kodit penal të RKS-së ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’”, thuhet në njoftim.

Tre personat e dyshuar në momentin e ndalimit kanë qenë duke shkëmbyër sasi të substancës narkotike dhe janë arrestuar nga njësitet antidrogë të Policisë së Kosovës

Në këtë operacion policor janë sekuestruar:

51 kg ( pesëdhjetë e një kilogram) e 664.6 gr substancë e dyshuar narkotike e cila dyshohet të jetë e llojit Marihuanë,

3 vetura,

8 telefona celularë,

980 euro, 30 franga,1 dollar; para të gatshme. /Insajderi.com