Kardiokirurgët e QKUK-së bëhen shefa në Spitalin e Amerikan – reagon ShSKUK: Për qëllime biznesore

Kardiokirurgët e QKUK-së bëhen shefa në Spitalin e Amerikan – reagon ShSKUK: Për qëllime biznesore

Raif Cavolli dhe Arbër Kutllovci, pasi hoqën dorë nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), janë bërë shefa në Spitalin Amerikan.

Përmes një postimi në llogarinë e Spitalit Amerikan, kanë treguar për pozitat që i kanë marr në këtë spital, raporton Gazeta Insajderi.

“Spitalit Amerikan i janë bashkangjitur kardiokirurgët e njohur Dr. Raif Cavolli, në cilësinë e shefit të departamentit të kardiokirurgjisë dhe kardiokirurgu me eksperiencë Dr. Arbër Kutllovci. Obligimi ynë, mjekët më të mirë në shërbimin tuaj”, thuhet në njoftimin e Spitalit Amerikan,

Për këtë njoftim ka reaguar Shërbimi Spitalot dhe Klink Universitar i Kosovës (ShSKUK), duke shkruar se dy kardiokirurgët lanë punën për angazhime personale.

“Ashtu siç kishte deklaruar dhe paralajmëruar më parë Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, arsyet e vërteta pse dy mjekët specialistë kardiokirurgë lëshuan punën në QKUK, ishte angazhimi i tyre në një spital privat, e që tashmë është vërtetuar nga ky spital”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Tutje ata thonë se “Për qëllime biznesore dhe personale, u veprua për ta dëmtuar imazhin e ndërtuar me punë dhe mund nga ana e QKUK-së, për Klinikën e Kardiokirurgjisë”.

“Janë për çudi dhe habi, deklarimet e pa matura të disa deputetëve dhe politikanëve që dolën me deklarata të pa vërtetuara dhe pa verifikuar paraprakisht situatën reale”, thuhet në reagimin e ShSKUK-së. /Insajderi.com