Kastrati i kundërpërgjigjet VV-së: Mendësi totalitare

Kastrati i kundërpërgjigjet VV-së: Mendësi totalitare

Gjatë ditës së djeshme dega e Vetëvendosjes në Dardanë publikoi një komunikatë për media, të të cilën akuzohej Qëndron Kastrati për qeverisje jo të mirë të kësaj komune e abuzim me buxhetin.

Ndaj kësaj komunikate ka reaguar sot Qëndron Kastrati, i cili ka mohuar një gjë të tillë.

“Që nga fillimi i mandatit, kam vendosur që të qeveris përtej interesave të ngushta partiake. Kam emëruar një kabinet qeverisës me moshë shumë të re dhe të bazuar në profesionalizëm. Në këtë kabinet ka drejtorë që nuk vijnë nga partitë por janë njerëz të profesionit”, ka shkruar ai.

Në shkrimin e Vetëvendosjes thuhej se Kastrati erdhi në pushtet përmes Vetëvendosjes, por tashmë nuk i përfaqëson ata.

Kurse Kastrati ka thënë se në politikë duhet të punohet për interesa të qytetarit.

“Në politikë jemi për qytetarin, jo për interesa të partisë”, ka shkruar Kastrati.

Reagimi plotë i Qëndron Kastratit:

Në politikë jemi për qytetarin, jo për interesa të partisë!

Me keqardhje e lexova komunikatën e mbrëmshme të degës së Vetëvendosjes në Dardanë. Fatkeqësisht më shumë ngjante në fletërrufetë që reflektojnë nga mendësi totalitare. Për mendjet e tilla, e vërteta NUK është çështje e debatit publik dhe përballjes së argumenteve, trajtimit të fakteve apo përpjekjes kolektive. Përkundrazi, ajo është ekskluzivisht e lidhur me subjektin dhe e vendosur një herë e mirë. Vetëm kjo logjikë e shpjegon veprimin përjashtues sipas mënyrës “nëse je me mua je shembull, nese je kundër meje je tradhtar”.

Që nga fillimi i mandatit, kam vendosur që të qeveris përtej interesave të ngushta partiake. Kam emëruar një kabinet qeverisës me moshë shumë të re dhe të bazuar në profesionalizëm. Në këtë kabinet ka drejtorë që nuk vijnë nga partitë por janë njerëz të profesionit.

Drejtorët janë plotësisht të lirë në punën e tyre të përditshme. Ata janë të udhëzuar nga programi qeverisës për të cilin jemi votuar, dhe kufizohen vetëm nga ligjet në fuqi. Për këtë mund të pyesni secilin prej tyre, edhe ata që vijnë nga Vetëvendosje.

Programin zgjedhor me të cilin kam garuar, jemi duke e zbatuar pikë për pikë, madje edhe duke e tejkaluar. Si shërbyes publikë që jemi, para nesh duhet të jenë vetëm interesat qytetare e asnjëherë ato të politikës ditore.

Unë kam vendosur të qeveris mbi këto premisa. Prandaj, secili drejtor komunal, edhe këta që vijnë nga VV duhet ta dijnë që unë do të vazhdoj të besoj në ta pavarësisht përkatësisë së tyre partiake. Unë nuk qeveris me presione, shantazhe e ultimatume dhe më vjen keq që partia VV e ka zgjedhë këtë formë pilitikbërjeje tash e sa kohë.

Qeverisja e Kamenicës ka ndryshuar rrënjësisht por kemi edhe shumë punë për të bërë. Në këtë mision duhet të jemi bashkë, partitë politike e qytetarët.

Përballë qasjes përjashtuese dhe ekskluzive, përgjigja ime është bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirja.

Komunikata e Vetëvendosjes:

Komunikatë për media

Të dashur aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,

Të nderuar qytetarë,

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Lëvizja VETËVENDOSJE! fitoi zgjedhjet në Dardanë me votat popullore, duke u bazuar në luftën tonë kundër korrupsionit dhe për një qeverisje të drejtë dhe të dinjitetshme.

Kaluan më tepër se një vit qeverisje, ndërsa raporti i Qendrës së LëvizjesVETËVENDOSJE! në Dardanë me Kryetarin Kastrati është veq zyrtarë, edhe atë në Kuvend ku ballafaqohemi me kërkesat tona që të respektohet platforma me të cilën edhe kemi fituar besimin e qytetarëve. Pas daljes së Qëndron Kastratit nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, ai nuk përfaqëson më qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s, as programin e saj e as votën popullore.

Duke vazhduar të qëndrojmë në qeverisjen komunale, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! fare nuk ka hapësirë që të jetësojë platformen qeverisëse për të cilën na besuan qytetarët dhe na votuan në Zgjedhjet Komunale të mbajtura në fund të vitit 2017. Madje, duke vazhduar të qëndrohet aty, do të bëheshim pjesë e një keqqeverisjeje të vazhdueshme nga kryetari i Komunës dhe subjekti të cilin ai tashmë e përfaqëson. Qeverisja e Qëndronit ka bërë që të krijojë shumë zhgënjim tek qytetarët në Dardanë.

Nga një analizë që Qendra jonë i ka bërë qeverisjes një vjeçare të Qëndronit, rezulton se kemi një qeverisje të përcjellur nga një paaftësi menaxheriale, keqqeverisje e abuzim me buxhetin e Komunës, përfshi këtu edhe mungesën e përkushtimit të kryetarit i cili shumtën e kohës nuk është në vendin e tij të punës, duke mos arritur ende as të kompletojë kabinetin e tij.

Kryetarit duket se i mungon edhe aftësia për ndërtimin e vizionit rreth nevojave të qytetarëve të Dardanës, e natyrisht edhe aftësia për ofrimin e zgjidhjeve për secilën prej tyre. Në Dardanë ende nuk ka filluar as edhe një përpjekje për zhvillim social e ekonomik, apo edhe për krijim të një ambientit të përshtatshëm për banim. Në vend të saj, të gjitha përpjekjet kanë shkuar drejt politizimit të skajshëm të administratës komunale, përfshirë këtu edhe sektorin e arsimit dhe shëndetësisë. Edhe ato projekte që përzgjidhen nisur nga kalkulimet politike, realizohen me cilësi shumë të dobët dhe pastaj përmes presioneve imponohet pranimi i punëve. Keqpërdorimet nuk përfundojnë as te ndarja e granteve komunale e madje as tek bursat për studentë.

Të gjitha këto veprime, neve si Lëvizje VETËVENDOSJE! na detyruan që të shqyrtojmë përfundimisht pozicionin tonë në raport me qeverisjen komunale.

Ne nuk mund të jemi pjesë e mashtrimit që i bëhet programit qeverisës të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të cilit i besuan qytetarët e komunës sonë. Nuk mund të jemi pjesë e atyre që po e vrasin shpresën e qytetarëve që një ditë mund të bëhet mirë edhe në Dardanë.

Ne nuk do t’i nënshtrohemi një koalicioni të gjerë PDK-AAK-AKR-Nisma-PSD e Lista Serbe, që është formuar kundër Lëvizjes dhe po bashkëveprojnë me shpresë që do ta dëmtojnë Lëvizjen. E për fat të keq po e pësojnë qytetarët e komunës tonë.

Prandaj, Kryesia e Qendrës në Dardanë, mbështetur dhe nga Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë ka marrë vendim që nga data 01.04.2019 të largohet nga qeverisja në Dardanë.

Me këtë rast i kemi kërkuar drejtorëve që janë në Lëvizje të largohen nga postet e tyre, sepse nuk mund të bashkëpunojnë me dikë që ka mashtruar votuesin e vet, ia ka marrë votat një subjekti dhe e ka çuar mandatin te subjekti tjetër.

Lëvizja vazhdon të mbetet e përkushtuar kundër korrupsionit, keqqeverisjes dhe për politika zhvillimore ekonomike e për drejtësi e barazi sociale, në Dardanë dhe në gjithë Kosovën. Qëndrime të tilla na kanë rritur dhe na kanë bërë forcë të parë, jo oportunizmi duke ndenjtur pranë pushtetit të pamerituar.